Policia ka identifikuar bashkëpunëtorin e autorit të vrasjes së Behar Sofisë, ngjarje e ndodhur më 25 shkurt në Tiranë.

Ai është Bujar Leza, 45 vjeç, banues në Larushk, Krujë i cili ishte në burg për dhunë në familje.

“Në drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 25 shkurt 2021, ku u vra me armë zjarri shtetasi B. S., 66 vjeç, si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara është bërë i mundur identifikimi i bashkëpunëtorit në këtë vrasje.

Bazuar në provat e grumbulluara, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin B. L., 45 vjeç, banues në Larushk, Krujë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë kanë bërë ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj këtij shtetasi, në ambientet e burgut të Fushë Krujës, i cili ndodhet i paraburgosur për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetasit B. L., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal””, thuhet në njoftimin e policisë.

Si ndodhi ekzekutimi?

Burimet, tregojnë se viktima Behar Sofia ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.

Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.

Kush është Behar Sofia?

Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv.

Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2021/03/16/akuzohet-si-organizator-i-eliminimit-te-behar-sofise-skender-vathi-mohon-akuzat-celulari-i-gjetur-nuk-eshte-i-imi/

https://top-channel.tv/2021/03/15/vrasesi-i-behar-sofise-para-gjyqit-video-kur-ernejt-shyti-ndjek-nga-pas-viktimen-e-tij-ne-ane-te-lanes9/

FOTO GALERI
1/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA