Akuzohet si organizator i eliminimit të Behar Sofisë, Skënder Vathi mohon akuzat: Celulari i gjetur nuk është i imi

16/03/2021 13:12
Ernejt Shyti dhe Skënder Vathi

Skënder Vathi një nga të arrestuari për vrasjen e Behar Sofisë në mes të Tiranës, ka mohuar që një telefon i gjetur nga autoritetet të jetë i tij.

Skënder Vathi dyshohet se është organizatori i skemës së eliminimit të Behar Sofisë dhe të ketë komunikuar me ekzekutorin Ernejt Shyt, i cili u arrestua në Malin e Zi. Përveç Ernejt Shytit, asnjë nga të arrestuarit e tjerë nuk kanë pranuar se janë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale që tronditi kryeqytetin.

Top Channel zbulon fotot e Ernejt Shytit i cili do të rimerret në pyetje nga ana e prokurorëve.

Ernejt Shyti

Ndërkohë që në qeli duke u marrë në pyetje është edhe Skënder Vathi, i cili dyshohet se është personi që ka marrë porosinë për vrasjen e 66 vjeçarit Behar Sofia dhe më pas ka gjetur edhe ekzekutorin e vrasjes.

 

Skënder Vathi

Të arrestuarit janë për vrasjen janë: Ernejt Shyti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë; Skënder Vathi, 54 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë; Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur dhe banues në Arrameras, Fushë – Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim” ngelur në tentativë; Xhuljano Visha, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Si ndodhi ekzekutimi?

Burimet, tregojnë se viktima ka qenë duke pirë kafe poshtë banesës së tij, në katin e dytë të një qendre tregtare pranë rrugës së Elbasanit, një lokal të cilin ai e frekuentonte shpesh dhe që gjithnjë ishte nën prani të personave të tjerë, Të njëjtin itinerar, Sofia e ndoqi edhe të enjten. Ai piu kafe herët në mëngjes dhe doli për të bërë një shëtitje, dy ditë pasi kishte kaluar Covid-19.

Sipas informacioneve, autori e kishte pritur në urën midis zonës se Piramidës dhe katedrales katolike të Shën Palit. Më pas, ai e ndjek për rreth 30 metra dhe e qëllon shumë pranë, një plumb e kap në trup dhe një në kokë. Kamerat e sigurisë tregojnë se autori ka qenë i veshur me një kostum sportiv ngjyrë të errët, me kapuç dhe me maskë mbrojtëse anticovid. Ai është larguar qetësisht pas atentatit, drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit. Më pas ka marrë një biçikletë dhe është drejtuar në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për larje hesapesh për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por një mundësi e vogël është që vrasja mund të jetë bërë edhe për shkaqe banale.

Kush është Behar Sofia?

Behar Sofia, rezulton të jetë një përkrahës i njërës prej partive politike në vend dhe me njohje të shumta në policinë e shtetit, duke qenë edhe një biznesmen i suksesshëm në Tiranë. Viktima rezulton me disa biznese në zonën pranë stadiumit Dinamo, por shpesh ka pasur konflikte dhe në biznese i kanë vendosur edhe eksploziv.

Sofia, në vitin 1998 u arrestua në Turqi së bashku me trafikantin Abdulselam Turgut, pasi u kapën me rreth 30 kg heroinë. Mes te arrestuarve ishte edhe Hekuran Hoxha, i cili u arrestua përsëri në 2019, për llogari të operacionit Volvo 4 dhe i dyshuar se është kreu i grupit të laboratorit të kokainës në Has. Turgut, tashmë është shpallur në kërkim, pasi donte të kryente një atentat terrorist në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në vendin tonë.

Top Channel