Forca të shumta policie në kryeqytet, shtohen masat e sigurisë për protestën e thirrur nga Berisha

20/12/2021 14:31

Berisha ka paralajmëruar protestën në orën 16:00 të kësaj hëne, kur pritet të vijë dhe presedenti serb, Aleksandër Vuçiç, për të marrë pjesë në takimin e radhës të “Open Balkan”.

Për të shmangur incidente të mundshme, në Tiranë janë shtuar patrullimet e mjeteve të policisë dhe janë mobilizuar forca të shumta të efektivëve.

Kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për takimin e radhës së “Open Balkan”.

Ish-kryeminstri Sali Berisha thirri mbështetësit në protestë para Kryeministrisë, pasi sipas tij ardhja e presidentit serb është kërcënim për interesat e vendit tonë. Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është një projekt serbo rus dhe Rama ka mbështetur Vuçiçin, në çështjen me Kosovë, pasi “ky projekt ka një qëllim, ndarjen e Kosovës”.

Për pasojë, agjenda e “Open Balkan”, që do të mbahet këtë të hënë dhe të martë do të përshtatet për mos të patur incidente me protestuesit që do të udhëhiqen nga Sali Berisha. Ndryshe nga takimet e shkuara, për arsye sigurie, udhëheqësit e tre vendeve nuk do të zhvillojnë një shëtitje në qytet siç ka ndodhur në Beograd, e Shkup.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.

FOTO GALERI
10/25

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA