Fiks Fare bëri 19 vjet që nga krijimi i tij. Kjo ditëlindje e rigjeti Fiksin si emisionin investigativ më të ndjekur dhe të dashur të ekraneve shqiptare.

Në këtë përvjetor Fiksi risolli edhe njëherë në vëmendje temat më të bujshme që ka trajtuar si trafikimi i fëmijëve dhe shitja e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë.

Shpëtimi i fëmijës nga trafikimi, ishte në fokus jo vetëm të mediave shqipëtare, por edhe atyre të huaja, që morën shkas nga emisioni Fiks Fare për të risjellë në vëmendje këtë fenomen të trishtë dhe skandal që do të mbahej mend gjatë.

Një tjetër skandal po aq i bujshëm, ishte edhe ajo që në Fiks Fare njihet si “Dosja Stela”. Stela ishte një vajzë nga qyteti i Vlorës e cila shfrytëzohej nga oficerë të policisë, apo punonjës policie për të futur në kurth biznesmenë apo individë të ndryshëm, të cilëve me pas u vendoseshin gjoba për t’u mbyllur dosjet. Publikimi i kësaj dosje tronditi themelet e policisë shqiptare dhe krimin e organizuar të lidhur me strukturat e policisë që operonin të pashqetësuar për vite me radhë.

Kulmor në Fiks Fare ishte transmetimi i përgjimit mes Ilir Metës asokohe zv.kryeministër dhe të ndjerit Dritan Priftit ish-ministrit të Energjetikës, në të cilin flitet për afera korruptive në emërimin e miqve të zv.kryeministrit Meta. Si një tender në Albpetrol dhe koncesionin e një HEC-i në proces gjyqësor nga i cili do të përfitohej 7% e shumës. E përkthyer në para, afro 700 mijë euro. Videoja me përgjimin e Ilir Meta dhe Dritan Prifti, pati jehon të madhe ku u pasua me protesta të forta të opozitës së atëherëshme, në janar të 2011.

Viti 2021-2022 ka qenë një tjetër sezon i sukseshëm për emisionin investigativ. Për herë të parë Fiks Fare hedh dritë mbi një nga ngjarjet më të bujshme të viteve ’80, me protagonist kryesor Sali Berishën, në atë kohë sekretar partie, i cili me veprimet e tij ka arritur që të internojë një nga mjeket më të njohura të asaj kohe, znj. Margarita Kostaqi dhe bashkëshortin e saj mjek, Milto Kostaqi. Për herë të parë, Fiks Fare publikoi dëshminë e mjekes, të ndarë nga jeta në vitin 2011, e cila tregon se njeriu kryesor për dëbimin e saj ka qenë ish-kolegu Sali Berisha, me të cilin në atë kohë kishte edhe një raport njerëzor.

Ndërkohë, kolegë dhe të njohur të saj, kanë treguar ndër vite të gjithë historinë, ku e përbashkëta e tyre ka qenë vetëm një emër; ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Internimi i saj u bë vetëm për një qëllim të vetëm, atë të egos profesionale. Duke internuar mjeken Kostaqi , Sali Berisha merrte kryesimin e pavijonit të kardiologjisë.

Top Channel