Papunësia në rënie të lehtë/ Qëndrojnë të larta shifrat e papunësisë mes të rinjve  

15/12/2021 15:09

Papunësia ka shënuar rënie në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave të Instat shkalla zyrtare e papunësisë llogaritet në 11.3%, në rënie të lehtë prej 0.3% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si dhe me tremujorin paraardhës.

Përmirësimin më të ndjeshëm e ka parë punësimi në sektorin e industrisë që sipas statistikave u rrit me rreth 10.1% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2020.

Edhe pse me ritme më të ngadalta, rikuperim ka shfaqur edhe punësimi në sektorin e shërbimeve në muajt korrik-shtator që përkon edhe me sezonin veror duke shënuar rritje me 0.5%.

E kundërta ka ndodhur me bujqësinë që ka vijuar trendin rënës të punësimit edhe këtë tremujor, pasi statistikat flasin për 4.5% më pak të punësuar se e njëjta periudhë e një viti më parë në këtë sektor që po vuan mungesën e fuqisë punëtore, kryesisht si rrjedhojë e emigrimit masiv por edhe lëvizjes demografike nga zonat rurale drejt qendrave urbane.

Ndërkaq, edhe papunësia mes të rinjve ka shfaqur një tendencë në rënie përgjatë kësaj periudhe duke u ulur në 19.9% në fund të shtatorit, nga 20.7% që llogaritej krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, por ka mbetur të njëjtëjta nivele kundrejt një tremujori më parë.

Me gjithë përmirësimin e lehtë, sërish papunësia mbetet në nivele shqetësuese dhe tregu i punës po rimëkëmbet me ritme të ngadalta, duke reflektuar edhe goditjen e madhe që mori nga kriza.

Vitin e ardhshëm qeveria prêt që niveli u papunësisë të ulet më tej dhe norma e saj të zbresë në 10.3%  në fund të 2022.

Top Channel