E vogla humbet më në fund nishanet e fytyrës në formë “Batman” pas dy vjet operacionesh (fotot)

13/12/2021 19:08

2-vjeçarja Luna Tavares-Fenner ka nisur rekuperimin pas një serie operacionesh për heqjen e nishaneve të saj të fytyrës me metoda mjekësore inovative në Rusi.

Familja amerikane pritet tashmë të fluturojë për në shtëpi për Krishtlindje pas një trajtimi të gjatë, i cili nuk mund të kryhej në SHBA.

Dr Pavel Popov, i cili trajtoi Luna, tha: “Luna ka nisur tashmë të flasë dhe thotë: “Pikat e mia të zeza kanë ikur, jam një princeshë”.

Fëmija kishte lindur me gjendjen e njohur si  ‘nevus melanocitik’ dhe kishte të gjithë fytyrën të mbuluar me një nishan të zi që prej lindjes.

Prindërit e saj Caroline Fenner, 37 vjeçe, dhe Thiago Tavares, 33, thanë se adhurojnë bijën e tyre të vogël.

Por ata shtonin se me pamjen e saj Luna “tërheq vëmendje e shikime”, madje disa njerëz mizorë e quanin dhe “monstër”.

Një tjetër rrezik për Luna ishte ai i kancerit të lëkurës, çka shtyu prindërit të kërkonin trajtim që herët.

Kanceri i lëkurës melanoma lidhet me nishanet e mëdha dhe është i vështirë për t’u trajtuar, raporton rrjeti MedlinePlus .

Caroline tha se kishte marrë vendimin e vështirë për të kuruar vajzen në Rusi, megjithse shumë njerëz e këshillonin të mos bënte gjithë atë rrugë për trajtimet e kushtueshme.

“Desha të evitoj kirurgjitë agresive që kemi parë me doktorët në SHBA”.

Caroline e Thiago mblodhën $69,700 të kërkuara për terapinë kirurgjike në një klinikë në Krasnodar, qyteti rus pranë kufirit me Ukrainën.

Ato kishin marrë gjithashtu mbështetjen e një donatori anonim rus, që kishte kontribuar me shumicën e parave të kurës.

Dr Popov kishte nisur punë me të voglën në 2019 dhe tha kësaj jave: “Kemi bërë vetëm gjashtë operacione për të hequr nevus-in, i cili tashmë duket se është zhdukur. Pjesa kryesore mjekësore ka përfunduar, por trajtimet do të vazhdojnë”.

“Tani Luna duhet të qetësohet para se të nisin kirurgjitë estetike.”

Dr Popov tha pa hezitim se trajtimi ishte një “sukses” dhe se është “plotësisht i kënaqur me rezultatin”.

Ai thotë: “Luna është shumë besnike ndaj nesh. Fëmijët zakonisht kanë frikë nga doktorët por Luna jo. Ajo sjell në takime kukullat e saj dhe unë vendos një leukopast te kukulla që të ‘kurohet’ edhe ajo, dhe Luna është e kënaqur”.

Nëna Caroline thotë: “Luna është mirë tani, fashot i ka hequr.

“Trajtimi ishte shumë i mirë dhe vajza nuk kishte dhimbje. Disa orë pas kirurgjisë ajo nis të kërcejë”.

“Kam folur me shumë nëna për kirurgjitë në SHBA, dhe duket se femijet janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve, ndërsa anestetikët e shumtë do të kishin shkatërruar shëndetin e saj.”

FOTO GALERI
2/7
Prinderit me maska solidarizimi me Luna

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA