Kopshti “Sunny Hill” në zemër të Tiranës, i rindërtuar nga e para pas rrënimit nga tërmeti ka përmbyllur treshen e investimeve përmes donacionit të Shtetit të Katarit, kontribut për Programin e Rindërtimit të nisur nga qeveria në nëntor të vitit 2019.
Në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri të delegacionit të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Katarit për Zhvillim kryetari i Bashkisë së Tiranës, është ndalur edhe në Kopshtin 42 në kryeqytet, i cili ka trefishuar kapacitetet duke u zgjeruar edhe me një çerdhe për vogëlushët e zonës së Bllokut, si dhe ofron sot kushte dhe hapësira moderne, për të cilat një kontribut të veçantë ka edhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa me fondacionin e saj “Sunny Hill Foundation”.
“Përpara një viti dukej një ëndërr që ne mund të kishim kopshtin më të bukur në Bllok, në qendër të Tiranës, që mund të kishim një shkollë model në Pezë dhe që mund të kishim një shkollë fantastike si ‘Lasgush Poradeci’, në qendër të Kombinatit! Por aty ku njerëzit bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, ndihmojnë njëri-tjetrin, i kanë sytë tek finishi dhe jo tek cic-micet atëherë mund të bëjmë mrekulli dhe ky është shembulli që patëm me kolegët nga Fondacioni i Katarit, njerëz që bashkëpunojnë pa vënë re gjëra të vogla, por të fokusuar tek gjëja e madhe”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë një falënderim të veçantë e kishte për Fondin dhe popullin e Katarit që iu gjend Shqipërisë. Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Katarit për Zhvillim, Khalifa bin Jassem Al-Kuëari nga ana e tij vlerësoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do vijë duke u rritur.
Top Channel