Pas tre muaj radhazi në rënie, besimi në ekonomi u rrit përgjatë nëntorit.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike muajin e kaluar u rrit me 0.9%, ndikuar veçanërisht nga përmirësimi i besimit në sektorin e ndërtimit por dhe prej atij të konsumatorëve, edhe pse me rritje të lehtë.

Më optimizëm kanë shfaqur bizneset e sektorit të ndërtimit ku treguesi i besimit u rrit me 6.3%, vlera më e lartë e pesë viteve të fundit, duke reflektuar ecuri pozitive si për porositë aktuale ashtu edhe për përmirësimin e aktivitetit ndërtues në muajt e fundit. Ndër të tjera, presin rritje të mëtejshme të çmimeve të apartamenteve në të ardhmen.

Më pesimiste situata duket për sipërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë e tregtisë, pasi besimi i tyre në ekonomi shënoi rënie muajin e kaluar, ndikuar kryesisht prej vlerësimeve të ulëta për ecurinë aktuale të biznesit si dhe pritshmërive për të ardhmen.

Sa i takon çmimeve të shitjes në muajt në vijim ato presin një rritje të tyre.

Ndërsa treguesi i besimit në shërbime ka mbetur thuajse i pandryshuar, ku bizneset vlerësuan më pak pozitivisht ecurinë e tyre, ndërsa presin një situatë më të përmirësuar në vijim lidhur me kërkesën për shërbime por edhe një ecuri më të mirë të punësimit në këtë sektor.

Pritshmëritë pozitive për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend por edhe për situatën e tyre financiare kanë bërë që besimi i qytetarëve të përmirësohet gjatë nëntorit.

Megjithatë, vlerësimi i tyre për të bërë blerje në shuma të mëdha si ajo për një banesë apo pritjet për blerje në të ardhmen paraqitet në rënie, duke reflektuar edhe rritjen e çmimeve të mallrave e shërbimeve veçanërisht muajt e fundit.

Top Channel