Dëshmitarja dhe viktima e kolonializmit: Na shkatërruan jetën dhe na morën origjinën

06/12/2021 12:51

Një nga dëshmitaret e fundit të gjallë të historisë së errët evropiane të kolonializmit, Lea Tavares Mujinga, vazhdon të kërkojë drejtësi për viktimizimin dhe çnjerëzimin që ajo pësoi pasi autoritetet koloniale belge e ndanë atë nga familja në Kongo si foshnjë.

Mujinga lindi në Kasai të Kongos gjatë sundimit kolonial belg në vendin afrikan. Nëna e saj ishte një indigjene kongoleze dhe babai i saj një portugez.

Si e tillë, ajo ishte viktimë e politikës së izolimit të ndjekur nga administrata koloniale belge me qëllim parandalimin e bashkëjetesës ndërracore dhe për faktin se babai i saj ishte i bardhë, ajo trajtohej si “fëmijë turpi”.

Kur babai i saj udhëtoi për në vendlindjen e tij Portugali për t’ia kumtuar familjes lajmin e mirë se kishte një fëmijë, autoritetet koloniale e morën Mujinga-n nga nëna e saj dhe e çuan në një internat të shkollës së Kishës Katolike në Kongo.

Ajo në një intervistë për Anadolu Agency (AA) dëshmoi për këtë ngjarje të trishtë, se si mbijetoi kur ishte dy vjeçe dhe rreth 13 vite të jetës së saj në kushte të pavolitshme në internat.

“Më ndanë nga familja ime kur babai im udhëtoi për të vizituar familjen e tij në Portugali. Në atë kohë udhëtohej me anije dhe iu desh të paktën gjysmë viti për të shkuar në Portugali. Kur u kthye unë tashmë isha ndarë nga nëna ime. Më kërkoi, por nuk arriti të më gjejë. Isha një vajzë dyvjeçare që nuk dija as gjuhën e njerëzve që më morën”, tha Mujinga, 75 vjeçe.

Ajo tha se fëmijët në konvikt nuk ishin të veshur mirë dhe këmbëzbathur, ndërsa ende ka shenja në këmbë nga ajo periudhë. Qulli i orizit ishte ushqimi i vetëm dhe ajo shpesh shkonte në shtrat e uritur pa jastëk dhe mbulesë të përshtatshme.

“Dhoma në të cilën ndodhesha ishte afër morgut, pasi godina e konviktit ishte dhe spital. Askush nuk do të më besonte nëse do t’i tregoja atë që dëgjova dhe pashë, prandaj nuk dua t’i tregoj të gjitha detajet”, tha Mujinga.

– Vetëm dy herë e pa nënën në 13 vitet e vështira

Mujinga u largua nga konvikti pasi mbaroi shkollën, kur ishte 15 vjeçe. Gjatë gjithë qëndrimit në konvikt, ajo e ka parë vetëm dy herë nënën e saj, e cila jetonte në kushte të këqija në një fshat qindra kilometra larg shkollës së konviktit.

“Herën e parë që ajo arriti të më vizitonte ishte kur isha katër vjeçe dhe herën e dytë e pashë kur isha tetë vjeçe dhe kur më lejuan të shkoja në shtëpinë e saj të shoqëruar nga dy persona”.

“Udhëtimi me varkë dhe kamion zgjati pesë apo gjashtë ditë. Të gjitha paratë që na dhanë në konvikt duhej t’ia jepnim shoferit të kamionit. Nuk kishim para të kalonim lumin me varkë, por na ndihmoi një grua që ishte e afërme e nënës sime. Nëna ishte në gjumë kur arritëm në shtëpinë e saj. Ajo nuk mund ta besonte se unë isha aty. U përqafuam dhe qamë dhe më pas pashë që ajo mbante në jastëk rrobat e mia me të cilat kishte fjetur prej vitesh”, tha Mujinga.

Pas daljes nga internati, Mujinga punoi si mësuese dhe u martua shpejt me një pilot belg me të cilin pati katër fëmijë. Burri i saj vdiq në një aksident ajror në vitin 1988 dhe kjo ishte një traumë e re dhe një sfidë e re në jetën e saj.

– Letër mbretëreshës

Më pas ajo u zhvendos me fëmijët në Belgjikë dhe i dërgoi një letër mbretëreshës së atëhershme belge Fabiola.

“I shkrova që isha një nga fëmijët e saj sepse kështu na thoshin në internat. I shkrova se kisha ardhur me fëmijët në Belgjikën e cila më kishte marrë familjen, origjinën dhe çdo aspekt të trashëgimisë sime. E pyeta nëse mund të më ndihmonte. Ajo m’u përgjigj, por tha se nuk mund të më ndihmonte dhe se për këtë duhet t’u drejtohem fondeve humanitare”, tha Mujinga.

Mujinga rriti fëmijët e saj, kurse forcën për të luftuar e mori nga shoqërimi me katër shoqe që patën të njëjtin fat në fëmijërinë e tyre. Tre vjet më parë, ato iu drejtuan një avokati dhe ngritën padi kundër Belgjikës për krim kundër njerëzimit.

Aktakuza e parë e tillë për periudhën e sundimit kolonial belg u shqyrtua nga Gjykata e Brukselit më 14 tetor dhe parashikoi pagesën e kompensimit prej 50 mijë eurosh për secilën.

Avokati shkroi në aktakuzë se si Belgjika, ashtu edhe kisha i lanë fëmijët në Kongo pas shpalljes së pavarësisë së atij vendi dhe se ato ishin abuzuar nga grupet militante.

Gjyqi duhej të përfundonte në fund të tetorit, por Mujinga nuk ka marrë ende asnjë njoftim.

“Ata na morën origjinën dhe rrënjët e fëmijëve tanë. Cili është çmimi i një jete të shkatërruar? A mund të flasim fare për kompensim? Ne duam që të miratohet një ligj që do të mbrojë mijëra njerëz të përfshirë në raste të tilla”, tha Mujinga.

Kongo ishte koloni belge nga viti 1908 deri në vitin 1960, ndërkaq, Mujinga tha se stërgjyshja e saj ishte gjithashtu skllave që u trajtua brutalisht nga autoritetet koloniale.

“Belgjika si shtet ende i shmanget përballjes me të kaluarën e saj të errët koloniale. Ata vetëm kërkuan falje dhe propozuan një kompensim simbolik prej një euro”, tha Mujinga.

Djali i saj Ignace Molek nuk i fsheh dot lotët duke dëgjuar historinë e dhimbshme të jetës së nënës së tij dhe tha se ajo është një grua jashtëzakonisht e fortë dhe e guximshme.

“Nuk ishte e lehtë për të, as për ne. Ajo është shumë e fortë dhe e kemi parë të qajë vetëm një herë. Ishte atëherë kur ajo dëshmoi para avokatit para se të ngrihej aktakuza. Ishte hera e parë që foli hapur për këtë”, tha Moleka.

Moleka shpesh udhëton në Kongo për të vizituar familjen e gruas së tij, kurse nëna e tij Mujinga nuk e ka vizituar më atdheun e saj dhe nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë./AA/

Top Channel