Arrestohet presidenti Sampdorias Ferrero, akuzohet se falimentoi 4 sipërmarrje

06/12/2021 17:16

Guardia di Finanza në Itali ka arrestuar presidentin e Sampdorias Masimo Ferrero. Në pranga kanë rënë dhe 5 persona të tjerë, mes tyre vajza e Ferreros, nipi i tij dhe shoferi.

Ata akuzohen për falimentimin e katër sipërmarrjeve që operonin në fushën e hotelerisë turizmit dhe kinematografisë.

Firmat kanë falimentuar 4 vjet më parë. Ish numri një i Sampdorias u transferua në burgun e Milanos, ndërkohë që dha menjëherë dorëheqjen nga drejtimi i klubit.

Mediat në Itali raportojnë se vajza e Ferreros dyshohet se ka përfituar përmes mashtrimit 740 mijë euro nga një kompani.

Mësohet se të paktën deri tani klubi i futbollit italian nuk është i përfshirë në asnjë çështje që akuzohet drejtuesi më i lartë i saj.

Por i gjithë ambienti është tronditur nga lajmi që erdhi në javën e derbit të Xhenovës.

Aktualisht drejtimin e klubit e ka marrë drejtori sportiv Alberto Bosco, i cili ka sigurur të gjithë punonjësit që të qëndrojnë të qetë dhe të vijojnë punën normalisht.

 

Top Channel