Reforma e ujit të pijshëm/ Balluku: Miliona euro dëm, Bashkia Durrës shpenzon më shumë ujë se një hotel

04/12/2021 13:52

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku të shtunën zhvilloi një takim me kryebashkiakët e qarkut Durrës për të diskutuar për reformën e ujit, pasi sipas saj menaxhimi i ujit të pijshëm në qark është shumë keq sa i përket arkëtimit dhe humbjeve në rrjet.

Balluku tha se Durrësi është në një situatë specifike duke kërkuar nga kryebashkiakët që situata të merret më seriozisht.

Uji i papaguar në qytetin e Durrësit në vitet 2018-2020 ka qenë në përqindje 75.6 për qind. Kurse për vitin 2021 vetëm në 10 mujorin e parë kur kemi bërë analizën ne kemi 80.75 për qind. Ne e kemi krahasuar me dy vjeçarin ’18-2020, ne kemi një rritje të papaguar të ujit të pijshëm me 5.15%”, tha ministrja Balluku.

Ministrja tha se normat e arkëtimit janë shqetësuese në qarkun Durrës, duke theksuar se ky qark ka normë arkëtimi korrente për vitin 2021, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime e Durrësit deklaron 55.2%, ndërkohë që norma e arkëtimit korente për vitin 2020 ka qenë 50.92%, pra ka një rritje prej 1.25% por që vazhdon të konsiderohet një normë arkëtimi e ulët.

Ajo tha se e njëjta gjë ndodh në Krujë, por sipas saj ndodh në një sasi pak më të vogël në përqindje.

Pra nga 67.8% që e kemi pasur ujin e papaguar në vitet 2018-2020, sot pra kemi arritur në 70.17% me një rritje të ujit të papaguar me një rritje prej 2.67%“, tha ajo.

Sa i përket Krujës, kjo ka komplet një numër i cili nuk i korespondon asgjëje të vërtetë. Keni deklaruar 88.3% në 2021 si normë arkëtimi, por ndërkohë nga të gjitha verifikimet që ne kemi bërë është 43.8% pra shumë më pak edhe se gjysma e asaj që është deklaruar”, tha Balluku.

Një kritikë e kishte edhe për kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.

Mendoni se harxhoni ju më shumë si institucion i Bashkisë Durrës apo në një hotel. Mund të ma sqaroni kryetare. 149 metra kub në muaj ndërkohë që një biznes privat si hotel vetëm 13 metra kub.  Është një situatë që kërkoj të merret seriozisht nga kryetarët e bashkisë. Kjo s’ka më lidhje me drejtorët e ndërmarrjeve.  Unë e njoh dhe e kuptoj shumë mirë problematikën e Durrësit por duhet pasur kujdes“, tha ministrja.

I pranishëm në këtë takim, drejtori i AKUM, Klevis Jahja tha se investimet e Qeverisë në këtë sektor nuk kanë munguar, por kërkohet një fokus më i madh qoftë nga pushteti vendor dhe qoftë nga vetë ndërmarrjet e UK.

Pavarësisht alokimit të madh të fondeve që është bërë gjatë këtyre viteve nga Qeveria Shqiptare konstatohet që këto investime kanë probleme me vazhdimësinë e tyre domethënë duhet një fokus më i madh qoftë i bashkive, qoftë edhe i ndërmarrjeve të ujësjellësit që të ndiqet me rigorozitet përfundimi i të gjitha këtyre investimeve që janë hapur.  Kjo duhet të bashkërendohet edhe me mirë administrimin e drejtorive të UK-ve për të rritur performancën e të gjithë treguesve të cilët ne masim”, deklaroi Jahja.

Takime të ngjashme do të vijojnë në të gjitha qarqet e tjera të vendit.

Në një mbledhje të posaçme më 29 tetor Rama i paralajmëroi kryebashkiakët në vend se Qeveria qendrore se do të ndërhyjë në situatën skandaloze që është krijuar nga ujësjellësit, duke i kërkuar atyre të mos ndërhyjnë me argumentin se janë autonomë.

Duke e konsideruar ‘gangrenë’ të gjithë sektorin, Rama edhe këtë herë e kishte shembullin negativ, duke ‘kryqëzuar’ Vlorën dhe Kavajën, ndërkohë që veçoi si pozitive Korçën dhe Pogradecin. Ai theksoi se abuzimi më i madh bëhet nga bizneset dhe jo nga familjet në nevojë.

Piramida që gllabërojnë para i cilësoi ai ndërmarrjet e ujësjellësve në vend, duke i kujtuar kryebashkiakëve se deri më tani janë investuar 1.2 miliard euro, një shifër kjo shumë e lartë, dhe asgjë nuk merret mbrapsht.

Teksa nënvizoi se drejtuesit e ujësjellësit në të gjithë vendin nuk do të zgjidhen më në të njëjtën mënyrë siç janë zgjedhur deri më tani, pasi Qeveria nuk do ta lejojë më këtë, Rama tha se është e turpshme që disa nuk shkojnë në punë fare dhe të tjerë shkojnë për të bërë dëm.

Top Channel