Qytetari i kërkon zgjidhje, Rama: Më bëre çorap. Do flas me Damianin se zgjidh gjëra që të tjerët nuk i zgjidhin

02/12/2021 17:10

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me qytetarët e Elbasanit, në lidhje me prezantimin e Ligjit për Bashkëqeverisjen.

Një qytetar ka shprehur shqetësimin e tij për djalin, i cili ndodhet në Turqi dhe ka patentën në Itali. Ai ka treguar se Bledi Gonxhe i ka dhënë përgjigjen duke i thënë se nuk realizohet, ndaj i është drejtuar Ramës.

Pasi e dëgjoi, kryeministri i tha se “e bëri çorap” dhe më pas shtoi se do të bisedojë me Damianin pas mbledhjes se mund të gjejnë ndonjë zgjidhje. Qytetari nuk hezitoi t’i kërkonte numrin, por Rama e mbylli me një buzëqeshje.

Qytetari: Djali im ka marrë dy patenta në Itali. Afati kohor është mbushur dhe vjen në Shqipëri duke aplikuar në zyra dhe kërkon që dokumentet nga Italia ti vijnë këtu për rinovimin e patentës, nuk i bëhet. Sot nuk është më Itali sepse po të ishte bëhet shpejt. Meqë nuk është në Itali por në Turqi, tani nuk e pranojnë se duhet të kesh lejen e punës, dokumentat në polici, atij nuk i jepet kjo e drejtë. Tani duhet të mësojë turqishten për të marrë patentën. Si do të zgjidhet? Me Bledi Gonxhen e kemi çuar, na ka dhënë përgjigjen që nuk bëhet.

Rama: Po çfarë nuk bëhet, nuk bëhet. Çfarë të bëjmë tani? Edhe ato që nuk bëhen do i bëjmë? Të shkojë në Itali e ta bëjë.

Qytetari: Që të shkosh në Itali, duhet të ketë lejen e banimit, qendrën e punës…

Rama: Rregullat e Italisë do zgjidhim ne?

Qytetari: Sikur ka një marrëveshje mes nesh dhe tyre. Cila është?

Rama: Ajo marrëveshje është për ne, jo për Turqinë.

Qytetari: Po çuni është i joni.

Rama: Çuni është i joni por duhet ta marrë këtu e të shkojë atje. Ne jemi shteti i tretë por çuni është ngatërruar me 2 palë. Ka dhe gjëra që nuk bëhen. Me vërte këto mrrokullat zgjidhin gjithë këto punë por nuk i zgjidhin dhe punët e shteteve tjera.

Qytetari: Duhet që të nisësh kërkesën nga shteti ku e ke marrë patentën.

Rama: Më bëre çorap, nuk di çfarë të të them.

Qytetari: Për këtë çorap kemi ardhur sot dhe në shumë drejtime na e keni zgjidhur.

Rama: Çorapet e Turqisë dhe Italisë nuk i marrim dot përsipër. Të shohim pas mbledhjes me Damianin se ky zgjidhte gjëra që të tjerët nuk i zgjidhin.

Qytetari: Më jepni një numër telefoni që të merrem vesh.

Top Channel