Parandalohet ngjarja tragjike në Bulqizë/ Arrestohet 30-vjeçari, goditi me mjet prerës në trup dhe përplasi me makinë një person

02/12/2021 13:55
Foto Ilustruese

Përshkallëzimi i një ngjarje që mund të kishte fund tragjik për një person është parandaluar në Bulqizë.

Policia njofton se një 30-vjeçar, i cili gjatë një konflikti ka dëmtuar me mjet prerës në turp, dhe më pas me automjet, është arrestuar.

Raportohet se më herët i arrestuari ishte dënuar në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë marrë informacion se në lagjen “Minatori”, po ndodhte një konflikt i ashpër mes dy shtetasve, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të  konfliktit.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se për shkak të një konflikti për motive të dobëta shtetasi A. T., ka goditur me mjet të fortë prerës në trup shtetasin L. N.,  dhe më pas me automjet, e ka shtyrë të dëmtuarin që ndodhej në automjetin e tij dhe e ka përmbysur në rrugë duke i rrezikuar jetën.

Si rezultat i ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të policisë është bërë e mundur përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit  A. T., 30 vjeç,  banues në Bulqizë, i dënuar më parë në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe kanosjes”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Top Channel