Bashkia e Tiranës dhe Banka Europiane e Investimeve firmosin marrëveshjen më të madhe për furnizimin e Tiranës 24 orë me ujë

02/12/2021 13:32

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me zëvendës-kryeministrin Arben Ahmetaj, firmosën një marrëveshje bashkëpunimi me Presidenten e Bankës Europiane të Investimeve, për furnizimin e Tiranës me 24 orë ujë, e cila do t’u shërbejë rreth një milionë banorëve.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se 6 vjet më parë Tirana ishte me 6 orë ujë dhe tani është me 17-18 orë ujë, madje disa zona kanë furnizim me 24 orë ujë.

“Jemi dita me natën me atë që gjetëm: rrjeti i ujësjellësit i ngjante një kulluese marakonash, ku uji vidhej rregullisht, makinat laheshin me ujë të pijshëm, po ashtu edhe misri ujitej me ujë të pijshëm. Fillimisht u desh të rikuperonim humbjet, të kishim një ndërmarrje më efiçiente, që të mos ishte më një parking militantësh, por një ndërmarrje me misionin për të shërbyer. Tani mund të them me krenari se ndërmarrja ka jo vetëm performancën më të mirë në Shqipëri, por sot është një ndërmarrje që ka arritur t’i paguajë vetë kreditë e marra, që ka financa më të shëndosha. Megjithatë, jemi ende larg ambicies sonë për Tiranën 24 orë ujë, por ky është plani ynë për vitin 2024. Sot firmosim kredinë më të madhe në historinë e ujësjellësit të Tiranës, si një mënyrë për ta çuar në marshin e pestë kalendarin tonë të investimeve. Në 2-3 vitet e ardhshme ne parashikojmë të hapim një kantier që të shtrojmë 45km tubacione në Tiranë, si dhe të sigurojmë një unazë presioni, e cila na jep mundësinë të furnizojmë të gjitha njësitë me të njëjtën sasi uji, edhe në lagjet më fundore të Tiranës, sidomos lagjet e reja dhe zonat e veçanta si “Astiri”, “Fresku” dhe “Liqeni i Thatë””, shpjegoi Veliaj.

Zëvendës-Presidentja e Bankës Europiane për Investim, Lilyana Pavlova, e cilësoi Bashkinë e Tiranës një partner të shkëlqyer, me të cilën po punon për zhvillimin e shumë projekteve të rëndësishme, që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Sot nënshkruajmë kontratën për investimin më të madh në vend në emër të BIE, nga e cila përfitojnë më shumë se 1 milion banorë. Ky investim redukton kostot e energjisë dhe sjell një infrastrukturë të qëndrueshme. I jam mirënjohëse Bashkisë së Tiranës për dedikimin. Është partneri ynë ekselent, me të cilin po punojmë për të zhvilluar shumë projekte. Jemi me ju për të ofruar jo vetëm investime, por dhe ekspertizën për të gjitha nevojat teknike në procesin e përgatitjes së këtyre projekteve dhe më pas në zbatimin e tyre”, tha Lilyana Pavlova.

Zëvendës-kryeministri, Arben Ahmetaj u shpreh se marrëveshja e sotme është një nga më të mëdhatë dhe një projekt që do u shërbejë rreth 1 milion banorëve.

“Është një nga marrëveshjet më të mëdha 144.5 mln euro. Kompotenti i dytë është infrastrukturor. Gjetja inxhinierike e unazës së Tiranës për ujin është fantastike. Unaza zgjidh përfundimisht të gjithë këtë dilemë inxhinierike të dikurshme, përpos që investon në të gjithë rrjetin që ka qenë i ezauruar, por vitet e fundit është investuar për ta ripërtërirë. Me këtë investim të madh, modernizohet gjithë infrastruktura e ujësjellësit të Tiranës”, nënvizoi Ahmetaj.

Projekti “Furnizimi dhe shpërndarja” me ujë për Tiranën (UKT), ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës së rreth 800,000 banorë të qytetit të Tiranës, duke siguruar furnizim të sigurt dhe të vazhdueshëm me ujë të pijshëm dhe tësigurojë furnizim të sigurt dhe të vazhdueshëm me ujë për qytetin e Tiranës në përputhje me standardet e përcaktuara në Direktivën e Ujit të Pijshëm.

Top Channel