Raketa e “dyfishtë” hipersonike, gjeneralët “rrëzojnë”Biden: “Kina s`ka frikë nga ne”!

01/12/2021 14:15

Presidenti amerikan Joe Biden e refuzon idenë se Shtetet e Bashkuara dhe Kina i kanë hyrë një lufte të re të ftohtë.

Por gjeneralët e lartë në Pentagon mendojnë ndryshe: ata thonë se gara e armatimeve ka nisur, ajo është hipersonike dhe kinezët janë shumë agresivë! Frank Kendall, sekretar i forcave ajrore amerikane shprehet se këto vitet e fundit, SHBA-ja i ka përqëndruar fondet e saj ushtarake tek fushatat në Irak e Afganistan, dhe ka lënë jashtë vëmendjes investimet “tek gjeneratat e reja të armëve”, e që janë pikërisht ato hipersonike.

“Nuk është fjala thjesht për të shtuar numrat e arsenalit të armëve, por për të përmirësuar cilësinë e tyre”, thote Kendall. Në Pentagon nuk e mohojnë që ndihen të befasuar, e madje të shokuar nga progresi i kinezëve në këtë drejtim. Armët hipersonike lëvizin drejt objektivit të tyre me një shpejtësi 5 herë më të lartë se ajo e zërit dhe janë më të vështira për t`u diktuar në krahasim me raketat balistike ndërkontinentale, që ndjekin një trajektore të qartë e të llogaritshme nga ana e mbrojtjes.

Të hënën, edhe Rusia njoftoi se ka zhvilluar një tjetër provë të suksesshme me raketën e saj hipersonike Zircon, ndërsa fuqitë botërore janë duke konkurruar për ta zhvilluar më tej këtë teknologji të re armatimi.

Top Channel