Elbasan/ Invalidëve s’u njihet libreza e ligjshme, u duhet dhe një vërtetim nga bashkia për të udhëtuar falas. Kompania shkel ligjin, bashkia nuk e penalizon!

01/12/2021 20:39

Invalidëve të punës të pajisur me librezën e invaliditetit në transportin urban qytetas  – rrethqytetas të Elbasanit nuk u njihen librezat  dhe janë të detyruar të paguajnë biletën ose në të kundërt i zbresin me dhunë nga autobusi. 

Në Fiks Fare u ankua kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës në qytetin e Elbasanit, zoti Vasil Petroshi, që prej kohësh kanë hasur një problematikë me transportin.  Që prej korrikut të vitit 2020 nuk u njihet libreza e invalidit të cilat janë me ligj. Ai ngre problemin se edhe pse i janë drejtuar me kërkesa institucioneve si Bashkisë Elbasan apo ministrisë ende ky problem nuk është  parashtruar në mbledhjen e këshillit bashkiak duke i lënë këta invalidë të mos përfitojnë atë që u takon me ligj.

Ai tregon se për  të shmangur abuzimet që mund të behën me librezat e invaliditetit  ai u ka shtruar  aty vertetimin e komisionit mjeko ligjor të bashkangjitur me vulë të njomë dhe përsëri  kompanitë që operojnë në fushën e transportit urban nuk ua njohin.  Janë detyruar të marrin edhe pranë njësive administrative  vërtetim që trajtohen ekonomikisht, por edhe ketë  nuk ua njohin. Madje invaliditetin e fshatit nuk e njohin fare.

Në nenin 11 të ligjit “Për statusin e invalideve të punës” thuhet që udhëtimi i invalideve me mjetet e komunikacionit shtetëror dhe privat qytetas bëhet falas. Ndërkohëe, me mjete ndërqytetas bëhet me 50 % të vlerës së biletës.

Por, çfarë ndodh në autobusët  shoqerisë së transportit Kriva shpk?

Fiks Fare shoqëroi disa invalidë në urbane dhe pse ata u treguan librezën e invaliditetit fatorinove, u detyruan të paguanin biletën. Madje kishte edhe nga ata fatorino që dy prej invalidëve i zbritën fare nga urbani vetëm pse treguan librezën e invaliditetit. Në videot e transmetuara në Fiks Fare u pa qartasi se në këtë linjë nuk pranoheshin prej kohësh librezate  invaliditetit. ” Ça është kjo, nuk e njohim. Ka kohë që është hequr, duhet të paguash biletën ose zbrisni” i drejtohet njëri prej fatorinove një invalidi.

Fiks Fare iu drejtua bashkisë së Elbasanit për të mësuar arsyen se përse invalidet në këtë qytet janë të detyruar të paguajnë kur udhëtojnë me linjat e transportit qytetas dhe ndërqytetas.

Bashkia e Elbasanit në përgjigjen e saj bëri me dije se ishte në dijeni të ankesës së Shoqateës së Mbrojtjes dhe Integrimit të Invalidëve të punës, madje në dt 2 nëntor të vitit të kaluar i ka tërhequr vëmendjen kompanisë së transportit Kriva shpk,  për moszbatim të kushteve të licencës.Në këtë shkresë Bashkia e Elbasanit e ka paralajmëruar kompaninë  Kriva shpk me pezullim të licencës nga 6-12 muaj në rast  përsëritje.

Edhe pse për 1 vit kompania e transportit të udhëtarëve ka vazhduar të shkelë ligjin , Bashkia e Elbasanit nuk ka marrë asnjë masë penalizuese, por ka rënë dakord me kompaninë që invalidët krahas vërtetimit të invaliditetit që marrin nga drejtoria e sigurimeve shoqërore të jenë të pajisur edhe me një vërtetim konfirmimi nga Bashkia Elbasan.

Pra, invalidët dhe veteranët në Elbasan që të përfitojnë transportin falas, një e drejtë që ua jep ligji, duhet të paraqesin dy vërtetime në autobuz,një nga dega e sigurimeve dhe një  nga bashkia.

Por edhe ky vërtetim nuk njihet në autobusët e Elbasanit dhe  invalidët vazhdojnë të penalizohen sa herë zgjedhin mjetet e transportit urban dhe interurban të këtij qyteti.

FOTO GALERI
3/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA