Lakra dhe brokoli, produkte që mund të rrisin fitimet për bujqit

30/11/2021 15:04

Ndërkohë që prodhimi i trangullit dhe domates, perimet më të kërkuara në treg dhe më të kultivuara në Shqipëri, hasin në vështirësi për shkak te sezonit të kultivimit, magazinimit dhe ruajtjes, lakra shihet një produkt me i qëndrueshëm.

Një studim nga Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar një projekt i financuar dhe zhvilluar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësoi lakrën si një produkt potencial për rritjen e vlerës së eksporteve. Ajo mund të mbillet në çdo kohë, ka rendiment të lartë për ha dhe ruajtja është më e lehtë.

Në tregjet ndërkombëtarë kërkesa për lakër po rritet gjithnjë e më shumë për shkak të përfitimeve që kanë në imunitetin e njerëzve. Lakra përmban: Proteina, 1.2 %, celulozë 1 %, lëndë minerale 1 %, 3.29 % lëndë ekstrakte, yndyrna 2.29 % etj. Lakra është mjaft e pasur në vitaminën C në vlerat 60 – 70 miligram, vitaminë A dhe gjithashtu lakra është e pasur me kripëra minerale si Ca, Ka, Na, S etj.

Kultivimi i lakrës si për nga sipërfaqet ashtu edhe për nga rëndësia ekonomike, është një ndër bimët kryesore perimore që eksportohet nga Shqipëria. Kultivohet në periudha të ndryshme kohore, duke filluar nga pranvera e hershme deri në vjeshtën e vonshme. Sipërfaqja e mbjellë me lakër më 2020 paraqitet me një rritje prej 15% në krahasim me vitin 2018. Kjo si pasojë e rritjes së sipërfaqeve me serra diellore dhe përmirësimin e teknologjisë së kultivimit.

Studimi thotë se, tregu i eksportit ka një kërkesë të lartë për lakrën e sezonit dimëror, dhe kryesisht janë vendet me klimë të ftohtë si Ukraina, Polonia, Lituania. Nga të dhënat e siguruara nëpërmjet intervistave të 8 (tetë) kompanive më të mëdha eksportuese, për vitin 2020 dhe deri në muajin Prill 2021 janë eksportuar afërsisht rreth 10,000 ton lakër sallatë, kryesisht e prodhuar në serrat diellore.

Lakra sallatë prodhimtarinë më të lartë kryesisht e ka nga kultivimi në serra, nga ku sigurohen rendimente të larta, rreth 45 ton/ha, si dhe në përputhje të ciklit prodhues me kërkesën e tregut të eksportit.  Çmimet e shitjes për eksport gjatë periudhës Nëntor 2020 – Prill 2021, ka variuar nga 55-70 lek/kg, mesatarisht rreth 60-65lek/kg. Pra, ekonomikisht është siguruar një vlerë financiare e gjeneruar nga eksporti me rreth 6-7 milion euro. Në total, së bashku me tregun vendas parashikohet një vlerë financiare e gjeneruar prej rreth 8-9 milion Euro.

Kultivimi i lakrës për shumë prodhues është i rëndësishëm edhe për faktin se mund të mbillet në periudha të ndryshme dhe mundëson shfrytëzim më racional të tokës duke u mbjellë si para ose post kulturë.

Kostot për një hektarë lakër serë përllogaritën mbi 1 milionë lekë, ndërsa vlera në eksporte 2,9 milionë lekë./ Monitor

 

Top Channel