Paraja jashtë bankave, në rënie për të dytin muaj radhazi në tetor

29/11/2021 09:30

Paraja jashtë bankave pësoi rënie për të dytin muaj radhazi në tetor.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, paraja jashtë bankave kishte vlerën e 358 miliardë lekëve, në rënie me 1.1 miliardë lekë krahasuar me shtatorin.

Tendenca drejt stabilizimit të parasë jashtë bankave duket qartë edhe në normat e rritjes vjetore, që janë në rënie të vazhdueshme prej 10 muajsh. Me bazë vjetore, rritja e parasë jashtë bankave për tetorin ishte 7.99%. Kjo është shkalla më e ulët e rritjes së këtij treguesi që nga marsi 2020, kohë kur Shqipëria u prek nga pandemia e Covid-19.

Për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë, rritja e parasë jashtë bankave po shënon ritme më të ngadalta se rritja e depozitave bankare në lekë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor totali i depozitave në lekë arriti në 687 miliardë lekë, në rritje me 8.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e parasë jashtë bankave erdhi pjesërisht nga pasiguria që pandemia krijoi tek agjentët ekonomikë, por edhe nga zgjerimi i shpejtë i ofertës monetare nga Banka e Shqipërisë. Për të shmangur çdo shqetësim të lidhur me mungesën e likuiditetit, Banka e Shqipërisë iu dha bankave tregtare akses pa limit në financime afatshkurtra. Kjo ndikoi edhe në rritjen e të gjithë agregatëve monetarë në monedhën vendase. Rritja e parasë jashtë bankave arriti nivelet maksimale në fillim të këtij viti, me një ndryshim vjetor pozitiv në masën 19.6%.

Por, pas muajit mars, kurba e rritjes nisi të binte gradualisht, edhe për shkak të shuarjes së efektit të bazës krahasuese me periudhën para pandemisë. Nga ana tjetër, edhe normat e ulëta historike të interesit ngelen një faktor që potencialisht mund të favorizojnë dalje të parasë jashtë sektorit bankar, megjithëse pas pandemisë edhe depozitat kanë shënuar ritme të larta të rritjes.

Rritja vjetore e agregatit M2, që përfaqëson ofertën monetare në lekë, ka ndjekur një kurbë të ngjashme, çka tregon që shtimi i parasë jashtë sektorit bankar ka ndjekur rritjen e ofertës së lekut në përgjithësi. Për tetorin, agregati M2 pësoi një rënie të lehtë me rreth 500 milionë lekë krahasuar me shtatorin dhe zbriti në vlerën e 890.5 miliardë lekëve.

Raporti mes parasë jashtë bankave dhe agregatit M2 pësoi gjithashtu rënie në tetor për të dytin muaj radhazi dhe arriti në 40.2%, nga 40.3% që ishte në shtator dhe 40.7% që ishte në gusht. Ky tregues ngelet në nivele të larta, por megjithatë, duket se ka një tendencë rënëse nga nivelet më të larta historike që shënonte në periudhën e verës.

Top Channel