Ekspozitë në muzeun e Durrësit/ Foto bardh e zi dhe piktura nga qyteti

29/11/2021 16:44

“Ëndrra dhe realitete urbane” titullohet ekspozita e çelur në muzeun arkeologjik të Durrësit, si një homazh dashurie e dhimbjeje për vendlindjen, qytetin antik bregdetar.

Një mori ndjenjash e ndjesish që Durrësi nxit te artistët e vet vijnë përmes fuqisë së fotografisë bardh e zi të Adnan Becit dhe pikturës plot ngjyra e mendim të Antonin Gjelucit. Një përballje ëndrrash e realitetesh durrsake që ftojnë për reflektim e veprim.

Adnan Beci, fotograf: Bardh e zi është dashuria ime e parë. Është një zgjedhje. Për mua qyteti vjen me dashuri të madhe. Edhe me dhembje vende -vende, po mbi të gjitha është dashuria.

Antonin Gjeluci, piktor: Të lindësh në një qytet me 2700 vjet histori e të pozicionuar mes Greqisë dhe Kroacisë, më mirë se kaq… s’na mungon asgjë për ta organizuar qytetin.

– Por a është përmbushur ëndrra e Dyrrahut sot?

“Pjesërisht. Nga ana figurative po, nga ajo realja ende jo. Qytetarit i mungon ëndrra për momentin. Durrësi e meriton të jetë një qytet me status turistik.”

Në realizimet e tij, fotografi Adnan Beci ofron, jo pa dhembshuri, realitete ku jeta gjallon qetë vetëm në dukje, ndërsa piktori Gjeluci të përfshin në një labirinth ëndrrash e realitetesh artistike që frymojnë në të njëjtën hapësirë urbane, gjeneze që të dy artistët e dashurojnë dhe ndjehen krenarë për të.

Antigoni Suli Gjergji, kuratore: Fotografia përfaqëson realitetin urban, ndërsa piktura ëndrrën urbane. Është e ndarë në dy pjesë ekspozita dhe prezanton dy artistë durrsakë mjaft të talentuar dhe me një aftësi shprehëse të jashtëzakonshme, secili në llojin e tij dhe njëkohësisht një qasje plotësuese të realitetit, pjesën fizike të tij përmes fotos dhe atë metafizike përmes pikturës.’

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA