2 persona gjenden të vdekur në Golem/ Hetohet për asfiksim nga gazi, dyshohet se viktimat ishin në lidhje jashtëmartesore

28/11/2021 00:44

Dy persona, të identifikuar nga policia si Mihal Jani, 60 vjeç dhe Anila Llulla, 50 vjeçe, u gjetën të vdekur këtë të shtunë në katin e dytë të një pallati në plazhin e Golemit. Ata dyshohet se humbën jetën të asfiksuar nga gazi, në rrethana ende të paqarta.

Në trupat e tyre nga kqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Kanë qenë fëmijët respektivë të viktimave, që në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, kanë dhënë alarmin pasi nuk po lidheshin dot me prindërit e tyre. Një ditë më parë, djali i 50-vjeçares mësohet se ka denoncuar humbjen e kontakteve me të ëmën që nuk ishte kthyer në banesën e saj në Tiranë.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se viktimat kishin një raport intim mes tyre. Sipas njoftimit të policisë, vdekja u zbulua rreth orës 17:45 të së shtunës kur në banesën e 60-vjeçarit Mihal Jani u gjetën pajetë trupi i tij dhe gruas, banuese në Tiranë.

Ajo ishte larguar dy ditë më parë nga shtëpia në Tiranë ndaj i biri kishte kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e saj. Burime të policisë lokale bëjnë me dije se dhe djali i Mihal Janit, pasi ka humbur kontaktet me të atin që nuk i përgjigjej në telefon që nga dita e djeshme, ka ardhur pranë banesës së tij në Golem të Kavajës dhe pasi nuk ka marrë përgjigje ka kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës për t’u futur në banesë ku të dy u gjetën pajetë.

Ndërkohë ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nuk përjashtohet as mundësia e një vetëvrasjeje, në kushte të rënduara psikologjike.

Top Channel