Nga ndërtimi i paligjshëm, te prerja e pyjeve/ Goditen 90 raste të krimeve mjedisore në të gjithë vendin

27/11/2021 14:38

Policia e Shtetit në vijim të zbatimit të planit të masave për parandalimin e krimeve mjedisore kanë bërë të mundur goditjen e 90 raste të krimeve mjedisore në të gjithë vendin.

Rastet e goditura vijojnë si më poshtë: 35 raste të “Ndërtimi i paligjshëm”, 13 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 23 raste të “Pushtim toke”, 7 raste të “Ndotja e ajrit”, 1 rast i “Ndotja e ujërave”, 1 rast i “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, 2 raste të “Shpërdorim toke”, 1 rast i “Shkatërrim prone”, 1 rast i “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura”, 2 raste të “Menaxhimi i mbetjeve”, 2 raste “Gërryerja e lumenjve” dhe 2 raste të “Peshkimi i ndaluar”.

Në këto krime mjedisore janë përfshirë 106 autorë të veprave të ndryshme penale, nga të cilët 5 janë arrestuar në flagrancë, 100 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe forcat operacionale të DVP Durrës, janë prishur dy furra artizanale që shërbejnë për prodhimin e gëlqeres, si dhe është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L, 47 vjeç, i cili ishte i shpalllur në kërkim për veprën penale “Ndotja e Ajrit”. Ky shtetas është kapur në flagrancë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në faqen e malit të Picrragës, duke rindezuar dy furra për prodhim gëlqereje, duke përdorur për zjarr materiale fasonerie dhe goma të përdorura.

Kontrolli masiv i territorit do të vijojë 24/7, me qëllim parandalimin, evientimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të kontribuojnë në kufizimin e dëmeve që i shkaktohen mjedisit, si dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

Top Channel