Fier, Baçi: PD nuk do ndahet/ Incidenti në degën e PD Fier, sepse unë mora pjesë te foltorja e Berishës

27/11/2021 01:21

Ish kryetari i Partisë Demokratike të Fierit, Luan Baçi bashkë me disa qytetarë të Fierit u mblodhën për të dytën ditë radhazi pranë zyrave të selisë së PD në këtë qytet.

Baçi tha se pavarësisht faktit se dyert janë mbyllur dhe kryetari është komanduar nga selia qendrore në Tiranë, demokratët e Fierit do të gjejnë një mënyrë për tu organizuar. Ai e quajti hakmarrje të Bashës incidentin në këtë degë sepse sipas tij shumica e delegatëve të Fierit do të shkojnë te kuvendi i 11 dhjetorit.

Por Luan Baçi garantoi se PD nuk do të ndahet në dy forca politike dhe se pas këtij debati do të bëhet më e fortë. Një ditë më parë ish- kryetari i PD në Fier, Luan Baçi denoncoi se derës së selisë në këtë qytet i janë ndryshuar bravat.

Bashkë me anëtarë të seksionit të PD-së Fier janë paraqitur në ambientet e Komisariatit dhe kanë bërë denoncim për ndërrimin e çelësave. Ndërkohë kryetari Agron Kapllanaj i cili reagoi pas denoncimit tha se ish-kryetari i kësaj dege ka më shumë se një vit që ka dhënë dorëheqjen dhe se me vendim të Kryesisë të Partisë Demokratike është komanduar të drejtojë ai vetë këtë degë deri në zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel