19 të vdekur e 32 të plagosur nga përplasja e autobuzit me pelegrinë kristianë në Meksikë (fotot)

27/11/2021 21:21

Të paktën 19 njerëz kanë vdekur dhe 32 janë plagosur nga përplasja e një autobuzi me besimtarë kristianë, që udhëtonte drejt një vendi fetar në Meksikën qendrore.

Zyrtarët thanë se autobuzi dukej se kishte humbur frenat dhe ishte përplasur me një ndërtesë në shtetin e Mexico.

Gjashtë nga viktimat kishin pësuar plagë më të rënda dhe u dërguan në spitalin Toluca, që është kryeqyteti i krahinës.

Ricardo de la Cruz, zv. Ministër i brendshëm, tha se aksidenti tragjik ndodhi në komunitetin Joquicingo, në jugperëndim të kryeqytetit Mexico City.

Autobuzi udhëtonte nga shteti perëndimor i Michoacan drejt Chalma, qytezë e vizituar prej shekujsh nga pelegrinët romanë katolikë.

Nuk kishte informacione të tjera për shkaqet apo gjendjen e të plagosurve.

Shumë meksikanë nisin pelegrinazhe fetare më deri më 12 dhjetor, duke pritur afrimin e Ditës së Virgjëreshës së Guadalupe.

Për arsye se ata nuk mund të ecin apo të udhëtojnë me biçikletë në rrugët e ngushta, ata marrin autobuzët që shpesh janë në gjendje të vjetëruar dhe shkaktojnë aksidente.

Shteti i Mexico kufizohet me kryeqyteti Mexico City nga tre anë, duke përfshirë si fshatra të largët ashtu dhe zona të ngjeshura urbane të kryeqytetit.

Chalma është konsideruar si vend i shenjtë që prej kohërave para-hispanike dhe pushtimit të vitit 1521.

Besimtarët thonë se pas ardhjes së spanjollëve, mrekullisht një kryq u shfaq në një shpellë që i dedikohej një zoti Aztec, kështu që Chalma u kthye në një vend pelegrinazhi kristian.

Të paktën 10 ambulanca erdhën në zonën e aksidentit për të ndihmuar të plagosurit.

FOTO GALERI
1/7
Të paktën 19 njerëz kanë vdekur dhe 32 janë plagosur nga përplasja e një autobuzi me besimtarë kristianë, që udhëtonte drejt një vendi fetar në Meksikë

Top Channel