Pas Mbretërisë së Bashkuar, edhe vendet e BE-së vendosën me urgjencë të ndalojnë udhëtimet drejt Afrikës së Jugut, ku po përhapet me shpejtësi varianti i ri tejet i trasmetueshëm i koronavirusit, i përshkruar nga ekspertët si më frikësuesi deri tani.
Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Austria, Belgjika, Malta dhe Republika Ceke e njoftuan menjëherë bllokimin e udhëtimeve me këtë rajon.
Por ndërkohë as kjo masë duket nuk ishte aq e shpejtë sa duhet: autoritetet belge konfirmuan se një rast i këtij varianti është zbuluar tashmë në vend. Izraeli gjithashtu ka identifikuar një rast infektimi me atë që për momentin njihet si B.1.1.529. Konsiderohet se ky variant ka pësuar numrin më të madh të mutacioneve nga të gjitha të tjerat.
Këto janë ditët e para të identifikimit të tij. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se është duke e monitoruar këtë variant dhe për këtë arsye do të mbajë një takim urgjent për të diskutuar se çfarë nënkupton kjo situatë për pandeminë dhe vaksinat.
“Jemi të shqetësuar për shkak të mutacioneve dhe ndikimit që mund të ketë ai”, deklaroi zyrtarja e saj, Maria Van Kerkhove. OBSH thotë sakaq se është shumë vonë për të parandaluar një valë të re të sëmundjes në Europë. Parashikimet e zymta të saj janë që deri në mars, 700 mijë vetë të humbin jetën në kontinentin e vjetër.
Top Channel