Gjermania premton raketa të reja për Ukrainën, ministri i Mbrojtjes: Sulmet ruse do të shtohen gjatë dimrit

09/09/2026 09:21

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i premton Ukrainës furnizime të tjera me raketa për mbrojtjen ajrore.

Gjermania po e mbështet Ukrainën me furnizime të mëdha armësh. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, premtoi ndihmë të mëtejshme për Kievin. Sipas tij kjo përfshin ndër të tjera raketa për mbrojtjen ajrore PAC-2, të cilat nevojiten urgjentisht për sistemin “Patriot”, si dhe një numër më të madh raketash AIM-9.

Pistorius deklaroi gjatë një videokonference të Grupit të Kontaktit për Ukrainën (UDCG) se me uljen e temperaturave nö vjeshtë dhe dimör sulmet ajrore ruse do të shtohen sërish. Ai u bëri thirrje aleatëve që edhe ata të shqyrtojnë rezervat e tyre ushtarake. “Nëse keni dyshime, vendosni në favor të Ukrainës”, tha ai.

Përpjekjet e Rusisë për frikësim dhe sulmet hibride nuk do të kenë sukses, as ndaj Ukrainës, as ndaj Gjermanisë dhe as ndaj partnerëve të tjerë, tha Pistorius. “Përkundrazi, sjellja e pamëshirshme dhe e papërgjegjshme e Rusisë vetëm sa e forcon vendosmërinë tonë për të mbrojtur paqen dhe lirinë në Evropë”, theksoi ministri.

Zelenski falënderon Gjermaninë

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve që mbështesin Ukrainën diskutuan gjatë videokonferencës së tyre se si mund të forcohet mbrojtja ajrore e Ukrainësnë prag të afrimit të dimrit dhe sulmeve të vazhdueshme të rënda ajrore ruse.

Për herë të parë në takimin e Grupit të Kontaktit morën pjesë ministri i ri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Wes Streeting, dhe ministri i ri i Mbrojtjes i Ukrainës, Jevhenij Çmara. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se dëshiron t’u bëjë thirrje të gjitha shteteve që të rrisin mbështetjen e tyre. “Ne nuk kemi zgjidhje tjetër”, theksoi Rutte.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, e falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e saj. “Këto janë pikërisht vendimet që e sjellin paqen më afër, pra kur kufizohen aftësitë e agresorit për të vrarë”, shkroi Zelenskyj në platformën X. “Falënderime Gjermanisë për qëndrimin e saj parimor, për mbështetjen dhe për dhjetëra-mijëra jetë që janë shpëtuar nga sulmet ruse”, shtoi ai. /DW

Top Channel