Sulmi në Deçan të Kosovës/ Reagojnë Basha, Meta dhe Xhaçka: Autorët të marrin ndëshkimin më të ashpër ligjor

26/11/2021 22:39

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen tragjike në Deçan të Kosovës ku gjatë një sulmi me armë ndaj një autobusi me nxënës humbën jetën 4 persona.

Me një reagim në Facebook presidenti Meta shprehet se është i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit. Ai u ka uruar ngushëllim të plagosurve ndërsa ka bërë apel për kapjen e autorëve.

“Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë. Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë! Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor”- shkruan ai.

Edhe kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për sulmin në Kosovë.

“Dhimbje dhe trishtim për ngjarjen e sotme në Deçan. Ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave. Shërim të shpejtë nxënësit që po merr ndihmën mjekësore. Jam i sigurt se autoritetet do bëjnë gjithcka për zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij krimi makabër”, shkruan Basha.

Reagimi i ministres Xhaçka: Pikëllim e dhimbje për tragjedinë në #Kosovë të shkaktuar nga një dorë kriminale që meriton dënimin më të ashpër që parashikon ligji. Mendjet e lutjet tona ju shkojnë familjeve të viktimave të pafajshme! U prehshin në paqe!🙏

Top Channel