Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ka thënë sot se shërbimet e inteligjencës kanë zbuluar një komplot ku përfshiheshin një grup rusësh e ukrainasish që do të rrëzonin qeverinë e tij javën që vjen.
Duke folur në një konferencë të gjatë shtypi Zelenskiy tha se inteligjenca kishte siguruar regjistrime audio ku komplotistët diskutonin planet e tyre dhe tentonin të siguronin në krahun e tyre dhe njeriun më të pasur të Ukrainës, Rinat Akhmetov.
“Ne kemi sfida jo vetëm nga Federata ruse për përshkallëzim, por gjithashtu edhe sfida të brendshme. Kam marrë informacion për një tentativë grusht shteti që do të ndodhë në vendin tonë më 1-2 dhjetor,” tha Zelenskiy .
Presidenti shtoi se vetë Akhmetov nuk ishte i përfshirë në komplot dhe refuzoi të jepte detaje të mëtejshme.
Kur u pyet nëse besonte se Kremlini ishte i përfshirë në çështje, Zelenski tha: “Më vjen keq nuk mund të flas për këtë”.
Kremlini menjëherë mohoi akuzat, ashtu si dhe vetë Akhmetov që tha në një deklaratë se “informacioni i publikuar nga Volodymyr Zelenskiy për përfshirjen time në një grusht shteti, është një gënjeshtër absolute”.
Ai shtonte: “Jami revoltuar nga përhapja e kësaj gënjeshtre, cilatdo që të jenë motivet e presidentit. Pozita ime është e njëjtë dhe e qartë: jam për një Ukrainë të bashkuar, me Krimenë dhe me rajonin tim të lindjes, Donbass. Veprimet e mia i kanë mbështetur këto fjalë.”
Më herët Zelenski tha se Ukraina është e përgatitur për një agresion të mundshëm nga Rusia.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot se nëse Rusia përdor forcë ndaj Ukrainës, “kjo do të ketë kosto dhe pasoja”.
Top Channel