E rëndë në Vlorë/ Nëna merr fëmijën në krah dhe hidhet nga kati i pestë! Gruaja vdes në vend, djali ndërron jetë në spital

26/11/2021 13:47

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme (e premte 2021) në Vlorë. Një 34-vjeçare, e identifikuar si Pamela Martiri është hedhur nga ballkoni i katit të pestë së bashku me fëmijën e saj 1 vjeç në lagjen ‘Pavarësia’.

Ajo ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa djali fillimisht u dërgua në spital nga një banor i zonës, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetonte plagëve.

Referuar raportimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se 34-vjeçarja nuk ishte banore e pallatit, por ishte ngjitur në katin e pestë dhe është hedhur nga sheshpushimi.

Në momentin që ka ndodhur ngjarja e rëndë ka pasur edhe dëshmitarë. Një prej tyre ka rrëfyer se si ndodhi ngjarja duke thënë: “Është hedhur nga kati i pestë nga sheshpushimi. Ka ardhur aty, ishte me gjithë fëmijën. Kur janë hedhur, dëgjova zhurmë dhe dola. Pashë që ishte përmbys. Ajo kishte shenja jete ndërsa fëmija kishte çarje në surrat dhe e mori njëri që është këtu me makinë. Nuk ishte banore këtu. E dëgjuam, nuk mund të bëja sehir. Policia nuk e dinte dhe i njoftuam e erdhën. Ambulanca u vonua 10 minuta.”

Në lidhje me ngjarjen policia njoftoi: “Sot më datë 26.11.2021, rreth orës 12:30, në lagjen “Pavarësia 2″, shtetasja P. M., 34 vjeçe, dyshohet se është hedhur së bashku me fëmijën e saj të mitur K. N., 1 vjeç, nga sheshpushimi i katit të një pallati dhe për pasojë kanë ndërruar jetë”.

Ndërkaq, grupi hetimor ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur detajet e kësaj ngjarje të rëndë!

Top Channel