Një përfaqësi fermerësh të cilët ishin mbledhur të protestonin këtë të enjte përpara Kuvendit të Shqipërisë, “i prenë rrugën” Kryeministrit, i cili i ftoi ata në takim.

Në një deklaratë për mediat pas këtij takimi, fermerët thanë se është rënë dakord që të mundësohen takime me ekspertë të qeverisë në mënyrë që të dëgjohen kërkesat që kanë.

Ata mendojnë se qeveria shqiptare nuk e njeh gjendjen e fërmerit dhe vështirësitë me të cilat po përballet për shkak të mungesës së orientimit ndaj tregut nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

Ne mendojmë se qeveria nuk e njeh gjendjen reale të fermerëve, sepse ne mendojmë se jemi përballë faktit që janë miliona euro investime nga reminitancat e fermerëve dhe nga kreditë me përqindje të lartë nga institucionet e mikro-kredisë që janë rrezik, pasi 30% e fërmerëve nuk kanë porositur sivjet për të mbjellur në sezonin e ardhshëm sepse kanë tre sezone që dështojnë për shkak të krizave të tregut dhe mos orientimit nga Ministria e Bujqësisë, pasi ata duhet të mbjellin produkte që i absorbon tregu”.

Fermerët mendojnë se me kushtet e krijuara dhe mungesën e ndihmës nga shteti veprimtaria e tyre ekonomike ka falimentuar.

Kur e shesim kilogramin e domates dhe kastravecit me 200 lekë, ne si fermerë jemi të falimentuar. Prandaj kërkojmë edhe ndërhyrjen e shtetit. Kështu siç jemi, i bie që ne të dorëzohemi, prandaj po i kërkojmë Qeverisë që të ndihmohemi dhe që subvencionimi të vijë direkt e tek fërmeri dhe jo indirekt”.

Mësohet se ata i thanë kryeministrit Rama se prej 3 vitesh i kanë kërkuar qeverisë shqiptare ndryshimin e formës së subvencionimit dhe heqjen e 6%. Fermerët thanë se në buxhetin e shtetit ky 6% është vlerësuar 9 milionë dollarë, por në realitet kjo shumë nuk është kaq, por pesëfish më shumë.

Ne kërkuam heqjen e 6%, pasi ne kemi 3 vjet që kërkojmë ndryshimin e formës, por jo heqjen si masë. Në buxhetin e shtetit ky 6% është vlerësuar 9 milionë dollarë, por nuk është kaq, por pesëfish më shumë. Një gjë të tillë ja thamë Kryeministrit. Ne e lamë që këto shifra t’i ballafaqojmë në një takim tjetër formal. I thamë se jemi dakord për mënyrën e të shkuarit tek fermerët dhe jo nëpërmjet pikave të grumbullimit, por direk përmes faturës tatimore”.

Në takimin disa minutash mes tyre, palët ranë dakord se cilësia e imputeve bujqësore është e pa garantuar, por edhe në lidhje me këtë problem ata do të ulen të flasin në një moment të dytë, ku pritet të merren në konsideratë edhe propozimet e tyre me shpresën se do të arrihet diçka.

Fermerët deklaruan se nëse propozimet e tyre nuk do të merren në konsideratë ata do të jenë të detyruar për të vazhduar protestat.

Çfarë kërkojnë fermerët?

1- Të subvencionet direkt fermeri jo më pak se 10 lekë për kilogram, të pasqyruar në faturë tatimore.

2-Eksportuesit kërkojnë 3 lekë të reja për kilogram, të jepen direkt nga drejtoria e doganave pa procedura burokratike.

3- Barazimi i TVSH-së shitje me TVSH-në e blerjes.

4- Masa e planifikuar në paketën fiskale për vitin 2022 për të shtuar 10% TVSH-në e imputeve bujqësore të pezullohet.

5-Qeveria të marrë masa për të kontrolluar cilësinë e produkteve bujqësore, të ngrejë laboratore të akredituara të cilat të jenë të aksesueshme nga kushdo.

6- Të rregullohet me ligj marrëdhëniet tregtare në sektorin e bujqësisë midis fermerit dhe tregtarëve të këqinj të cilët nuk paguajnë faturën në kohë.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel