Rama takim me fermerët: Grumbulluesit hedhin gurin e fshehin dorën, shpërndarja e fondit jo “tek e tek”

25/11/2021 13:15

Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me një grup fermerësh nga Lushnja, të cilët protestuan sot para parlamentit kundër paketës fiskale.

Rama i ka ftuar fermerët për një bashkëbisedim në zyrën e tij, ndërsa u shpreh se qeveria synon që pikat e grumbullimit të kenë një financim të përbashkët, teksa shton më tej se shifrat e eksporteve sot vetëm rriten.

Rama ‘shigjetoi’ grumbulluesit duke theksuar se ata hedhin gurin dhe fshehin dorën.

Pjesë nga biseda:

Rama: Të dy palët paskemi të njëjtin hallë, ai 6% nuk shkon te këta. Tani çfarë ka ndodhur, ne e kemi bërë deri tani dhe do e ndryshojmë sepse e para bujqit s’kishin pika grumbullimi, dalin në rrugë me karrocë me kalë, ose do shkonit në treg vet dhe pastaj dhe ju bënte të mos kishit asnjë lloj hapësire për të ruajtur. Je për të mbijetuar s’je për të bërë biznes. Ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën ka marrë mbështetje nga kjo qeveri në vite për ato investime që kanë bërë atje, që të bëjnë pikat e grumbullimit me një financim të përbashkët dhe ndërkohë rolin e agjentit të qeverisë për të çuar diferencën te ju nuk e kanë luajtur.

Eduart Sharka: Situata është që ne kemi 2 vjet, këtë radhe janë bashkuar pikat e grumbullimit, 30 % e fermerëve nuk kanë porositur fidanë për të mbjelle këtë sezon, sepse krizat e tregut janë të paorientuara.

Rama: Po të ishte se gjendja do të ishte njësoj për të gjithë do kishe të drejtë por s’është. Nga 1 janari deri në 1 tetor janë më shumë se në vitin 2019. Këtu është çështje organizimi dhe çuarja e parasë në drejtimin e duhur. Paraja ka devijuar. Janë 9 mln dollarë.

Eduart Sharka: 9 mln dollarë janë vetëm për eksportet

Edi Rama: Unë po flas për atë që heqim ne nga buxheti jonë. Është shumë e qartë si jepet ajo. 9 mln dollarë në një sektor që ka 3.5 mld dollar.

Eduart Sharka: Janë vetëm për eksportet

Edi Rama: Një minutë mo një minutë se e di unë për çfarë janë. 9 mln që ne nuk do i japim më në atë formë sepse na devijonin grumbulluesit. Por nuk do të ikë nga bujqësia. Madje është 2-fishi sot për të shkuar drejtpërdrejtë te fermeri. Si do shkojë te fermeri? Nuk ka shans të shkojë tek e tek. Mos të dalin të bëjnë këto aventurat

Eduart Sharka: 9 mln dollarë është vetëm TVSH. Ne themi ky 9 mln dollarë duhet të vijë sipas mënyrës që propozojmë ne

Në fund të takimit ta ranë dakord për të diskutuar një mënyrë të re adresimi të fondit dhe qasjes së financimit nga ana e qeverisë. Kreu i qeverisë nënvizon se qëllimi është ta formalizojmë sektorin, që javën tjetër të ulemi e të diskutojmë.

Kërkesat e fermerëve:

1. Subvencionim direkt i fermerit me 10 lekë për kg
2. Barazim i TVSH në shitje dhe blerje
3. Pezullim i TVSH për plehrat kimike, inputet bujqësore
3. Subvencionim 3 lekë për eksportuesit
5. Laboratorë analizash për tokat dhe perimet
6. Garanci për paget e faturave nga grumbulluesit

Top Channel