Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej “ në Tiranë në nder të 44 viktimave të aksidentit tragjik të ndodhur në Bullgari.

Ata kanë vendosur lule dhe qirinj për të kujtuar jetët që mbyllën sytë përgjithmonë dy ditë më parë në aksidentin fatal të ndodhur në autostradën në Bosnek, pranë kryeqytetit Sofie rreth orës 02.00 të mëngjesit.

44 persona, shumica shqiptarë humbën jetën në aksidentin rrugor të ndodhur të martën në mëngjes në perëndim të Bullgarisë.

Autobusi me targa maqedonase, i nisur nga Stambolli me destinacion Shkupin u përplas me barrikadat e rrugës dhe më pas u përfshi nga flakët.

Mes viktimave ka edhe fëmijë, ndërsa janë shpëtuar vetëm 7 persona, të cilët kanë dalë nga pjesa e pasme e autobusit.

Në këtë aksident tragjik, mësohet se është shuar një familje me 12 anëtarë, përfshi edhe dy fëmijë binjakë. Në mesin e viktimave janë edhe dy shtetas të huaj, nga Belgjika dhe Serbia.

Ende nuk dihet shkaku i shpërthimit të flakëve që shkaktoi edhe vdekjen e pasagjerëve.

Një nga enigmat e kësaj ngjarjeje të rëndë është personi i tetë i mbijetuar në aksidentin e ndodhur në Bullgari.

Sipas të dhënave në listë ishin 52 udhëtarë dhe janë gjetur 44 kufoma, ndërsa nuk dihet ende personi i tetë i cili rezulton se është gjallë.

 

 

FOTO GALERI
6/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA