Viti i Ri 2022 do t’i gjejë 100 familjet e para në apartamentet e reja të lagjes “5 Maji”, e cila po rindërtohet për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Gjatë inspektimit të sotëm në një nga kantieret më të mëdha të Programit të Rindërtimit në Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur për ritmin e punimeve, si dhe për faktin se për familjet e goditura nga fatkeqësia po krijohet një lagje e re moderne, me infrastrukturë, urbanistikë dhe shërbime pranë banorëve.
“Kjo është një hapësirë fantastike, në të cilën po ngremë ndërtesa jo vetëm cilësore, me ashensorë, me parket e vetrata dopio-xham, por edhe me kushte shumë më të mira sesa shtëpitë që prishi tërmeti. Sapo të mbarojnë edhe detajet e fundit, do të jemi gati për të pritur 100 familjet e para, të cilat Viti i Ri do t’i gjejë në shtëpitë e tyre të reja. Kjo lagje do të jetë një ndër zonat më të urbanizuara në Tiranë, ku çdo gjë po bëhet e saktë – jo në fillim pallatet e pastaj duke u shtyrë me bërryla për të bërë ndonjë copë rrugë – por, rruga siç duhet, trotuari siç duhet, infrastruktura siç duhet me ujë, drita, internet,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Kreu i Bashkisë theksoi se kjo është hera e parë që në Tiranë po ndërtohet një lagje e urbanizuar që në gjenezë. “Ndonjëherë, fatkeqësia sjell edhe mundësi: Është hera e parë në Tiranë ku për shkak të tërmetit ne po e bëjmë një lagje tamam me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, ku çdo gjë është e menduar mirë. Tuneli mes për mes do na lidhë me anën tjetër të lumit, me Kamzën. Do ketë ura të reja që bëjnë të mundur, jo vetëm aksesin dhe hyrjen në Tiranë nga një drejtim tjetër, por sigurisht për mijëra njerëz që në fakt adresën e kanë në Kamzë, por punojnë përditë në Tiranë. “5 Maji” do të kthehet i gjithi në një Bulevard, pra siç kemi filluar këtu me trotuaret, do vazhdojë deri në fund të rrugës,” u shpreh ai.
Veliaj bëri edhe një apel për politikën që bllokon sa herë që Bashkia ka një projekt modernizues. “Apeli im për politikën është: Rrini larg “5 Majit”. Historia e Bregut të Lumit ka ngrënë shumë koka politikanësh, që kur u ndërtuan bankinat e lumit, por edhe kur kemi pasur ndërhyrje të tjera. Nuk ia uroj askujt të keqen, por kush pengon Bashkinë, kush mundohet ta përdorë për politikë e kush mundohet të mbjellë helm, apo të pavërteta, kush përpiqet t’i përçajë njerëzit, t’i vërë kundër qytetit sigurisht që merr shpagimin që meriton. Ftesa ime për të gjithë ata politikanë, jo vetëm ata që kanë lënë kockat politike këtu, por edhe të tjerët që tundohen të fusin përçarje, që më thonë – eja, eja! – Unë ja ku jam! Për të gjitha këto arsye është shumë e rëndësishme të lejohemi të punojmë, pastaj puna do flasë vetë,” deklaroi ai.
Kryebashkiaku shtoi se përveç infrastrukturës dhe pallateve të reja, lagjja do të plotësohet edhe me institucione të tjera publike, si shkolla, çerdhe, kopshte e qendra sociale, çka do i japë një tjetër vlerë pronës. Ai sqaroi të gjithë pronarët që janë prekur nga projekti.
“Secili do të marrë një shtëpi që për metër katror vlen shumë më shumë se shtëpia që i prishi tërmeti. Ata që ishin pronarë këtu do të marrin vlerësim në përqindje. Ata që ishin për legalizim do i marrin metrat katrorë, pra do marrin diçka që vlen me firmën e Stefano Boerit po në të njëjtin vend, por sigurisht me një vlerë financiare shumë më të madhe. Nga Bregu i Lumit dhe “5 Maji” nuk do dalë askush i humbur. Kush nuk kishte shtëpi do të bëhet me shtëpi dhe kush e kishte për faqe të zezë pjesën e zaptuar tek Bregu i Lumit do marrë një pronë më të mirë,” sqaroi Veliaj.
Top Channel