Kjo histori i jep krahë fantazisë dhe nxit dashurinë për librat

Në një rruzull me “një emër të bukur që s’ia di kush” jeton një burrë shumë i vjetër, aq i vjetër sa nuk i kujtohet as mosha e vërtetë. Mban një kapelë qesharake, ka një mjekër të gjatë të bardhë, një palë syze dhe shkruan mbi një fletë me një makinë të zhurmshme shkrimi me taste të prishura. Me ta shkruar fletën, burri niset në kërkim të vendit të përkryer ku e mbjell dhe pastaj rikthehet që të përkujdeset për të.

Nga ajo faqe e mbjellë, pas përkujdesjeve të gjata mbin një pemë shumë e bukur me trung të trashë dhe kurorë të dendur, që ka fletë në vend të gjetheve.

Kur fletët piqen burri nis t’i vjelë, i bën pirg me kujdes, i lumtur nga rezultatet e një pune të gjatë. Më në fund i qep me dorë njëra pas tjetrës derisa bëhen libra dhe i le të lirë që të fluturojnë jashtë dritares së shtëpisë. Librat bëjnë një rrugë shumë të gjatë, mbi dete e shkretëtira, ditën e natën dhe në fund arrijnë në një bibliotekë ku çlodhen mes historive të tjera që lexuesit mund të zgjedhin.

Një libër i ilustruar bukur dhe me të vërtetë i rëndësishëm. Vogëlushët mund ta lexojnë në mënyrë të pavarur kurse të rriturit mund ta lexojnë për vete aq sa edhe t’ua lexojnë vogëlushëve: një himn bukurisë së librit dhe fuqisë së leximit që si një farë, pasi mbillet ka nevojë për përkujdesje, përkushtim dhe dashuri në mënyrë që t’i japë frytet dhe të krijojë lexues.

Një tekst i bërë me fjalë delikate dhe muzikale që mund të lexohet fare mirë me zë të lartë, me imazhe poetike me ngjyra të lehta pasteli. Një histori që ka shijen e një përralle, “historia të gjitha historive” që përçohet qysh në kopertinë ku duket një burrë më përparëse që e ka futur kokën brenda fletëve-gjethe dhe qysh në titull ku librat i krahason me ëndrrat.

Dy fjalë për autorët

Claudio Gobbetti është autor dhe drejtor artistik televiziv si dhe profesor në universitetin Nuova Accademia di Belle Arti në Milano.
Diyana Nikolova, e lindur në Bullgari, ka punuar si grafiste dhe drejtuese arti për disa agjenci publicitare të rëndësishme dhe tani i është kushtuar me kohë të plotë ilustrimeve për fëmijë.

Të dhëna për librin
Titulli: Kopshtari i ëndrrave
Autor: Claudio Gobbetti, Diyana Nikolova
Përktheu: Arta Marku
Shtëpia Botuese: MediaPrint
Çmimi: 900 lekë
Mosha e sugjeruar për lexim 5+

Top Channel