Video e Lezhës/ Reagon policia: Nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale, shpallen në kërkim 4 persona për “moskallëzim krimi”

20/11/2021 14:33

Policia e Lezhës të shtunën ka reaguar në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale ku shfaqeshin tre persona të armatosur dhe të maskuar në një lokal, duke sqaruar se ngjarja ka ndodhur me datë 13 nëntor në fshatin Zejmen. Policia tregon se nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale.

Në një njoftim për mediat, policia thekson se tre persona të armatosur dhe të maskuar janë futur në lokalin e shtetasit A.K., pasi dyshohet se kanë pasur një konflikt me pronarin e këtij lokali, i cili nuk ka qenë prezent në momentin që ata kanë hyrë.

Mësohet se ngjarja nuk është raportuar në polici, si dhe nga verifikimet ka rezultuar se nuk ka pasur vjedhje apo persona të dëmtuar.

Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve :A.K. ,25 vjeç, banues në Zejmen, pronari i lokalit, F.B., 26 vjeç, M.V.,29 vjeç dhe I.A., 34 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë, të cilët ndodheshin klientë në lokal, për vepren penale “Moskallëzim i krimit “, kryer në bashkëpunim”, citohet nga njoftimi i policisë.

Po ashtu, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë vijon puna intensive për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Video tregon tre persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët futen brenda një lokali, ku kanë kryer kontrolle ndaj disa të rinjve që po qëndronin aty.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në një lokal në fshatin Zejmen të Lezhës dhe siç shihet nga pamjet e siguruara nga Top Channel, tre personat e armatosur kontrollojnë të rinjtë për kartat e identitetit.

Nuk dihet nëse tre të rinjtë ishin futur për të ekzekutuar apo për të dhunuar ndonjë person, por pamjet e kamerave tregojnë se pas kontrollit ata janë larguar pasi nuk e kanë gjetur personin që kërkonin.

 

Top Channel