Veliaj përuron shkollën e 10-të për këtë semestër në Tiranë: Me hapësira dyfish më të mëdha për nxënësit; Ka rritur vlerën e pronës me 30%

19/11/2021 16:26

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përuruan shkollën e 10-të, të ndërtuar nga e para, që i bashkohet buqetës së shkollave dhe kopshteve të reja të hapura këtë semestër në kryeqytet.

Veliaj tha se shkolla e re me kapacitet prej 900 nxënësish, është ndërtuar më moderne dhe me kushte tepër cilësore për fëmijët.

“E vlerësoj shumë sakrificën e këtij viti! Ju është dashur që të bëni mësim me dy, ndoshta me tre turne, në një shkollë tjetër, është dashur të punoni orar pa orar, vend e pa vend, por di t’ju them se kur vjen në këtë hapësirë të rimodeluar, ku kemi shtuar një oborr përpara, një oborr mbrapa, dy hyrje, salla me dritare të mëdha, ku hyn drita natyrale, përjeton një emocion të madh dhe mendoj se ia ka vlejtur çdo mund e sakrificë. Sot kemi një shkollë shumë më të mirë për nxënësit tanë. Është shkolla e dhjetë që hapim këtë semestër. Debate do të ketë, por duhet të kuptojmë se në fund mbeten veprat”, thekson Veliaj.

Kryebashkiaku vuri theksin te fakti që transformimi i kësaj shkolle ka rritur me 30% vlerën e pronës në zonë.

“Vetëm kjo ndërtesë, nga vëzhgimi që kemi bërë kur nisi puna, e ka rritur vlerën e pronës me 30% në të gjitha pallatet këtu rrotull. Pra, kur filloi shkolla e re, vetëm për faktin se agjencitë imobilare thonë: Shitet ky apartament ngjitur me shkollën e re “Qazim Turdiu”, ka rritur me 30% vlerën e pronës. Prona ka të njëjtat metra katrorë, por thjesht vlen më shumë sepse ndodhet pranë një shkolle më të bukur dhe ka urbanistikë”, pohoi Veliaj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se në kuadër të programit të rindërtimit deri në fund të vitit të ardhshëm numri i shkollave të rikonstruktuara në gjithë vendin do arrijë në 170.

“Këtë model shkolle ne duhet ta shtrijmë në të gjithë vendin, sepse siç e meritojnë mësuesit dhe nxënësit e mrekullueshëm të kësaj shkolle, natyrisht e meritojnë të gjithë nxënësit dhe mësuesit shqiptarë kudo që janë. Për vitin 2022 kemi një buxhet prej 1.2 miliardë lekësh edhe për shkollat e tjera në qytete të tjera, sepse unë e di që në Shqipëri ka shkolla që kanë nevojë ose të ndërtohen të reja ose të rikonstruktohen. Tashmë në këtë shkollë stafetën e kemi ne, mësues të dashur që këtë investim kaq të bukur ta përkthejmë me punë sa më cilësore që nxënësit tanë nesër të jenë mjekë të mirë, politikanë të mirë, profesionistë të mirë në çdo fushë”, përfundoi Kushi.

Shkolla “Qazim Turdiu” hapi dyert këtë vit të ri shkollor më e bukur, më e fortë dhe më e madhe, pas rrënimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Me një sipërfaqe prej mbi 6 mijë metër katrorë, shkolla e re është projektuar për një kapacitet prej 900 nxënësish, duke plotësuar nevojat për arsimin në këtë zonë dhe duke dyfishuar numrin nga kapaciteti ekzistues.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA