Seanca paraprake për 8 të pandehurit në çështjen e rrëmbimit të Jani Prengës është shtyrë. Top Channel mëson se seanca u shty për mosmarrje në dijeni të të pandehurve që kërkohet të gjykohen dhe disa prej atyre që kërkohet pushim çështjeje.

Mbi të akuzuarit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini rëndojnë veprat penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që ata të kenë kryer veprat penale përkatëse.

Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz.

Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Ndërkohë hetimet vazhdojnë për mbledhjen e provave apo gjetjen e personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.

Top Channel