“Në çarçaf kishte benzinë”, gazetari zbulon si u vra 10-vjeçari nga babai polak: I lidhi duart dhe e theri me thikë

18/11/2021 16:39

Gazetari italian Erminio Cioffi ka dhënë detaje tronditëse për vrasjen e 10-vjeçarit nga babai polak në Itali. Në emisionin “Shqipëria Live”, gazetari thotë se nga hetimet është zbuluar se në çarçafin ku u gjet trupi i pajetë i të miturit, kishte edhe benzinë.

Ndërkohë babai ka qenë në gjendje të dehur kur u gjet nga gruaja shqiptare, Mariola Rapaj, e cila aktualisht ndodhet në spital duke marrë trajtim mjekësor pasi është e shokuar.

Erminio Cioffi: Një nga detajet që kanë zbuluar hetuesit është se kanë gjetur benzinë në çarçaf, çka tregon se babai ka dashur jo vetëm ta vrasë, por edhe ti vërë zjarrin. Mirko është gjetur në gjendje të rënduar psikologjike dhe krejt i dehur pranë trupit të pajetë. Është zbuluar se babai i ka lidhur duart djalit të vogël dhe e theri me thikë. Dhuna ndaj Mariolës ka nisur që kur ishte shtatzënë me djalin. Kur ka qenë shtatzënë, e ka goditur në bark dhe ka vijuar për vite me radhë.

Fëmijë u vra nga babai polak, Mirko Tomkow, i cili u arratis nga spitali COVID në Romë ku ishte shtruar dhe shkoi në shtëpi, ku i mori jetën djalit duke i prerë fytin me thikë.

Pak kohë më parë gjykata kishte lëshuar një urdhër mbrojtje duke i ndaluar polakut që t’i afrohej gruas dhe fëmijës, por pavarësisht kësaj, 44-vjeçari arriti që të futej në shtëpi.

Matiasi i vogël ka qenë vetëm pasditen në banesën ku jetonte me nënën e tij.  Ai ishte ftuar në drekë nga daja i tij, por preferoi të kthehej nga shkolla në shtëpi. Sipas autoriteteve italiane ishte djali që ia hapi derën të atit për t’u futur brenda që më pas e vrau.

Shkaku i divorcit ishte dhuna sistematike që 44-vjeçari kishte ushtruar ndaj shqiptares.

Mariola Rapaj, 32 vjeç, e gjeti djalin e saj të pajetë në dysheme kur u kthye në banesë nga puna, rreth orës 15.30. Burri është arrestuar nga policia dhe karabinierët po dëgjojnë dëshmitarët për të rindërtuar atë që ndodhi në banesën e një pallati dykatësh.

Top Channel