Macja e rrugës sjell të gjithë këlyshët për të njohur gruan që e ndihmoi (fotot)

18/11/2021 18:40

Lisianne ishte një ditë vere në kopshtin e saj kur pa një mace të zezë leshtore që sillej aty rrotull.

Ajo ishte pjesë e një kolonie macesh që jetonin jashtë, pranë shtëpisë së saj në  Québec në Kanada, dhe dukej e uritur, prandaj gruaja nxorri jashtë një tas me ushqim dhe ujë.

Lisianne nisi ta quante macen Usagi dhe takimet e tyre u bënë një rutinë e përditshme  — Lisianne nxirrte ushqimin jashtë, ndërsa Usagi kishte gjithnjë e më shumë besim te ajo.

Por barku i Usagi nisi të rritej dhe Lisianne e kuptoi se kjo nuk ishte vetëm nga dieta e re.

“Zonja nisi të kishte besim dhe macja afrohej gjithnjë e më shumë me të,” thuhet në deklaratën e grupit lokal Chatons Orphelins Montréal, i cili ndihmon kafshët e rrugës. “Macja kishte lindur jashtë por vinte në shtëpinë e zonjës çdo ditë për të ngrënë.”

Pasi kaluan disa javë Usagi vendosi se kishte ardhur koha që të prezantonte Lisianne me familjen e saj të vogël. Macja solli te veranda e shtëpisë një nga një, të gjashtë këlyshët e saj.

Kotelet gjashtë-javëshe dukeshin si kopje të vogla të nënës së tyre dhe ishte e qartë që familja kishte nevojë për ndihmë.

Lisianne i joshi nënën dhe këlyshët të hynin brenda.

Grupi i bamirësisë së kafshëve tregon më tej historinë në rrjetet sociale:

“Nëna mace dhe gjashtë bebet ishin më në fund të sigurta. Lisianne vendosi të mbante për vete nënën, dhe një mikeshë e saj adoptoi një nga këlyshët”.

Këlyshët e tjerë u sollën në strehën e kafshëve ku u trajtuan nga veterineret. Aty punonjësit mësuan se Usagi kishte kërkuar për ndihmë tamam në kohën e duhure.

Këlyshët vuanin nga konxhunktivitis dhe kishin vështirësi në frymëmarrje. Veterinerët i trajtuan ato dhe pas shërimit kafshët nisën të mësoheshin me njerëzit.

“Bebet në fillim ishin shumë të rezervuara, kishin nevojë për jetë sociale. Por më vonë nisën të kishin besim dhe të dilnin nga guaska e vetëmbrojtjes. Ato luanin me njëra-tjetrën dhe tani janë në kërkim të shtëpive të përhershme. E gjitha kjo prej nënës së tyre që guxoi të kërkonte ndihmë”, njofton streha e kafshëve.

FOTO GALERI
2/4
Pasi kaluan disa javë Usagi vendosi se kishte ardhur koha që të prezantonte Lisianne me familjen e saj të vogël.

Top Channel