Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shprehet se krime të rënda, si ajo e vrasjes së 8-vjeçarit në Fier, ndodhin dhe për për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit të institucioneve.

Autori Klodian Çalamani nuk ishte i panjohur për policinë. Në vitin 2006, bashkë me shokun e tij, Florian Vasiu, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Ata e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit me mjete prerëse.

Qytetarët e fshatit Greçal u bënë dje dëshmitar të një tjetër krimi të rëndë. 8-vjeçari Mateo Vasiu u vra dhe u gropos nga komshiu i tij në oborrin e shtëpisë.

Nikolla, në një reagim për mediet sociale shkruan se nëse nuk do të shmangeshin disa përgjegjësi, Mateo sot do të ishte në shkollë

Dje Shqipëria humbi një fëmijë, një engjëll të vogël tetëvjeçar. Krimi i tmerrshëm ndodhi në Fier. Pas këtij krimi qëndron një histori lëshimesh dhe një zinxhir përgjegjësish. Nëse ato do të ishin shmangur, Mateo sot do të ishte në shkollë, me shokët dhe shoqet e tij. Krimineli ka dhunuar edhe më parë dhe për një krim të rëndë ka marrë një dënim përkëdhelës. Të gjithë duhet të nxjerrim mësime nga kjo që ndodhi dhe autori i këtij krimi barbar duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Shoqëria dhe komunitetet duhet gjithashtu të reflektojnë. Krimet ndodhin para syve edhe për shkak të mungesës së vëmendjes dhe reagimit tonë.

E kam të vështirë të gjej një fjalë ngushëlluese për prindërit dhe familjarët e Mateos. Asgjë nuk lehtëson dhimbjen e padurueshme të tyre.U prehsh në paqe, engjëll!”, shkruan Nikolla.

I mituri Mateo Vasiu

Si ndodhi ngjarja?

Një ditë më parë Fieri u trondit nga grabitja dhe vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu nga Klodian Çalamani. Në lidhje me ngjarjen u arrestua nga Policia e Fierit, Klodian Çalamani, pasi 8-vjeçari është parë nga banorët e lagjes duke bërë xhiro me biçikletën e tij. Kjo ka hedhur dyshime tek policia, e cila menjëherë ka nisur hetimet.

Vetëm pak minuta më vonë është arritur të ndalohet 38-vjeçari Klodian Calameni, i cili e pranoi vrasjen dhe tregoi se e kishte groposur trupin në oborrin e shtëpisë. Rrethanat e këtij akti makabër janë ende të paqarta, ndërsa pritet zbardhja e dëshmisë së autorit.

Sot janë hapur dyert e mortit në familjen e të miturit, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje.

Vrasësi i të miturit

Kush është Klodian Çalamani?

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare. Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo jo pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën. Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E. Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten. Në atë kohë, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës në vitin 2009.

Top Channel