Tragjedia në Fier/ Deputetja Eralda Tase Bano: Pse lihen të lirë vrasësit edhe pas identifikimit?

17/11/2021 13:06
Pamje nga vendngjarja

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, deputetja demokrate, Eralda Tase Bano ka shprehur revoltën për ngjarjen e një dite më parë në Fier, ku një i mitur u vra nga fqinji me precedent penal, ndaj të cilit banorët kishin shumë shqetësime.

Çnjerëzore e ka quajtur ajo ngjarjen, ku Klodian Çalameni e mori Meteo Vasiun në shtëpinë e tij, e vrau dhe më pas e groposi në oborr.

Si nënë, jam e tronditur sesi një krim i tillë makabër mund të kryhet ndaj një fëmije krejt të vogël e të pafajshëm. I shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së ëngjëllit të vogël, megjithëse e di fort mire se në këtë ditë të zezë nuk ka fjalë për ngushëllim. Kjo botë paska qenë shumë e ligë për shpirtra të bukur si yti, Mateo!

Deputetja drejton gishtit te qeveria, që thotë se nuk po lufton krimin.

Si përfaqësuese e Fierit në Parlament dua të shpreh revoltën që ka sot çdo shqiptar pse përbindësha të tillë lejohen të bashkëjetojnë pranë fëmijëve dhe familjeve tona! Si ka mundësi që vrasësit qarkullojnë të lirë, edhe pasi identifikohen nga policia? Mungesa e veprimeve konkrete nga qeveria për të luftuar krimin në çdo nivel po na kushton shumë rëndë si shoqëri.

Të paktën, institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjykata duhet të na sigurojnë që përbindësha të tillë të mos shohin më dritën e diellit, për të mos dhunuar dhe për të mos marrë  më jetën e fëmijëve dhe njerëzve të pafajshëm!

Top Channel