Trafiku i rënduar në kryeqytet/ Kontrolle të shtuara në rrugë, arrestohen 12 shoferë

16/11/2021 14:09

Policia rrugore njofton se ka shtuar kontrollet në zonat ku ka trafik të ngarkuar në Tiranë si pasojë e punimeve që po kryhen në rrugë dhe ka gjobitur shoferët që kanë shkelur rregullat.

Gjatë kontrolleve në unazën e re dhe zonave të tjera ku po bëhen punime, përgjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar 4 drejtues automjetesh në gjendje të dehur dhe të pa pajisur me leje drejtimi.

Janë vënë nën hetim 12 drejtues automjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Janë ndëshkuar me masë administrative 12 drejtues mjetesh për gara shpejtësie dhe mos rregullim shpejtësie në qendrat e banuara, ndërsa 14 shoferë të tjerë për xhama të errësuar jo në përputhje me kriteret e miratuara në udhëzimin përkatës.

Policia rrugore ka pezulluar 12 patenta për shpejtësi mbi normat e lejuara, ka gjobitur 56 drejtues motomjetesh për mos përdorim të kaskës mbrojtëse dhe 436 automjete për ndalim qëndrimi dhe parkime të tjera në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Top Channel