Po transportonte inerte në mënyrë të paligjshme, arrestohet 30-vjeçari në Elbasan

16/11/2021 14:54

Policia ka arrestuar një person, ka proceduar penalisht 1 tjetër dhe ka bllokuar tre mjete që transportonin inerte në mënyrë të paligjshme.

Në një njoftim për mediat, Policia e Elbasanit thekson se në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, është arrestuar në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Fshehja e të ardhurave“, shtetasi R. L., 30 vjeç, banues në Cërrik, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke transportuar inerte (gurë), pa dokumentacion shoqërues të mallit.

Gjithashtu është proceduar penalisht shtetasi S. P., 56 vjeç, banues në Gramsh, pasi është kapur duke transportuar me një mjet tip kamionçinë, inerte (rërë), pa dokumentacion shoqërues të mallit.

Ndërsa dy persona të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale, “Ndërtim i paligjshëm.

Mësohet se specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan proceduan penalisht shtetasin I. H., 41 vjeç, banues në Elbasan, pasi është konstatuar duke ndërtuar pa leje, një kat shtesë në banesën e saj.

Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe shtetasja N. S., 55 vjeçe, banuese në Belsh, pasi është konstatuar duke ndërtuar pa leje, një kat shtesë në banesën e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Po ashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

Top Channel