Pas covid, situata më e vështirë/ Mjekët: Shumë persona vuajnë pasojat e ndërlikimeve

16/11/2021 14:07

Edhe pasi e kanë kaluar sëmundjen Covid 19, një pjesë e të shëruarve shfaq probleme të ndryshme shëndetësore, të cilat duhen trajtuar nga mjekët specialistë.

Dr. Edlira Harizi, neurologe: ”Mund të lejë insuficcenca respiratore të zgjatura, probleme kardiake, probleme metabolike dhe diabet e duke prekur trurin jep sindromën post-covid me çrregullime neurologjike që shkaktojnë probleme me gjumin, dhimbje koke të zgjatur, atake epileptike, çrregullime të kujtesës, shenja depresive dhe ankth të zgjatur që duhen trajtuar nga mjekët specialistë.”

Mjekët durrsakë u mblodhën në fundjavë në një konferencë mbi ndikimin e Covid-19 në patologjitë akute dhe kronike, si dhe menaxhimin e tyre. E organizuar nga Urdhri i Mjekëve Durrës, gjatë saj u përballën përvojat dy-vjeçare të mjekëve tanë me ato të kolegëve në botë, që çuan në përditësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të terapive, ndërsa u theksua se vaksina është një armë e fuqishme në luftën kundër virusit dhe pasojave të rënda që ai shkakton në organizëm. Pas një lufte 2 vjeçare, ky takim ishte dhe një vlerësim e nderim për vetë mjekët që sfiduan pasiguritë dhe qenë gjithë kohën në vijën e parë për të shpëtuar jetë.

Edlira Harizi, kryetare e UMD: ”Një gjë ngeli e pandryshuar gjatë të gjithë pandemisë, përkushtimi i mjekëve. Ata dhanë jo vetëm mëndjen, por edhe shpirtin në trajtimin e pacientëve me covid, duke treguar se I qëndruan besnikë të betimit të shenjtë të Hipokratit, që mjeku duhet t’I japë ndihmë dhe kur rrezikon jetën e tij.”

Gjatë pandemisë, Durrësi regjistroi pacientin zero, ndërsa kanë humbur jetën mbi 290 persona, mes tyre dhe mjekë e infermierë.

Top Channel