Kriza kufitare, Polonia: Emigrantët kanë gaz lotsjellës dhe lazera verbues (fotot)

13/11/2021 21:11

Forcat kufitare polake thanë të shtunën mbrëma se emigrantëve në anën bjelloruse të kufirit u janë dhënë kapsula gazi lotsjellës dhe lazera të cilët po i përdorin kundër ushtarëve polakë.

Autoritetet evropiane thanë se emigrantët fatkeqë janë “armatosur” nga Bjellorusia, në zhvillimet dramatike pranë qytezës polake të Czeremcha.

Forcat kufitare polake publikuan pamje të lazerave e dritave të përdorura kundër ushtarëve.

Autoritetet polake bënin të tjera akuza duke thënë se një pjesë e gardhit kufitar me gjemba prej 170 km, është shkatërruar qëllimisht nga forcat bjelloruse.

Në pamjet e ardhura sot nga kriza e rëndë humanitare, shihej se mes refugjatëve kishte dhe foshnje.

Ndërsa minsitria bjelloruse e mbrojtjes akuzon Poloninë për ngjeshje ushtarake në kufi me rreth 15,000 trupa të mbështetur me tanke, mjete mbrojtjeje ajrore e armë të tjera.

Një i ri sirian u gjet sot i vdekur në zonën pyjore aty pranë, duke e çuar në nëntë numrin e viktimave deri tani, shkruan rrjeti britanik Metro.

Dje NATO tha se dënon ashpër emigracionin artificial të parregullt të krijuar nga Bjellorusia.

“Këto veprime rrezikojnë jetën e njerëzve të dobët. Ne do të mbetemi vigjilentë për përshkallëzime apo provokime të Bjellorusisë, në kufi me Poloninë, Letoninë e Lituaninë”, thuhej në deklaratë.

FOTO GALERI
1/5
Forcat kufitare polake thanë të shtunën mbrëma se emigrantëve në anën bjelloruse të kufirit u janë dhënë kapsula gazi lotsjellës

Top Channel