Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka mbijetuar nismës së opozitës për mocionin e mosbesimit. Kjo e fundit u largua nga parlamenti pasi nuk arriti të sigurojë 61 votat e nevojshme.
Kreu i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, pas dështimit të mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit Zoran Zaev, me të cilin ai është në koalicion qeverisës, mbajti një qëndrim mbi situatën politike në vendin fqinj, duke shkruar se ajo çfarë ngjau natën e 11 nëntorit, ishte ngadhënjimi i ndërgjegjes dhe të arriturave të përbashkëta.
Dy ditë më parë ishte ai, i cili kishte paralajmëruar se qeveria e Zaevit nuk do të binte, duke nënkuptuar kështu se ka fuqinë të kontrollojë me qetësi numrat brenda partive opozitare.
Ajo çfarë fitoi për Ahmetin, ishte “liria, barazia, drejtësia, fqinjësia e mirë, orientimi euroatlantik i vendit dhe e ardhmja e sigurt pro perëndimore”. Ai thekson se Maqedonia e Veriut ka nevojë për shumë siguri, për më tepër stabilitet dhe parashikueshmëri politike të plotë. Sipas tij, mohimi i Marrëveshjes së Ohrit apo asaj të Prespës, nuk kanë vend në Shkup. Aq më pak mohimi i fqinjësisë së mirë, NATO-s, Bashkimit Evropian, Republikës së Kosovës apo gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.
Miqësinë me SHBA-të dhe BE-në, Ahmeti i cilëson si të pa alternativa dhe të pacenueshme. Nuk duhet të ketë asnjë kusht dhe asnjë rrethanë për të, edhe që të lihet shkas për të cenuar miqësinë me vendet e rajonit.
“Siç ju thash, nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori. Bashkë përgjithmonë!”, përmbyll postimin me tone ironike Ahmeti.
Opozita e Maqedonisë së Veriut ishte e bindur në sigurimin e votave, deri kur deputeti Kastriot Rexhepi nga radhët e Lëvizjes Besa, nuk u paraqit në seancë, por zgjodhi të publikonte një mesazh dhe pastaj një video në rrjetin social Facebook, ku theksonte se kishte zgjedhur rrugëtimin euro-atlantik dhe jo një iniciativë të tillë opozitare, të cilën e konsideronte antishqiptare dhe antiperëndimore.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në mesnatë, konstatoi, se nuk është votuar mosbesimi i qeverisë dhe e deklaroi seancën të mbyllur. Në mungesë të deputetëve të opozitës maqedonase dhe shqiptare iniciator të mocionit, kryetari i Kuvendit Xhaferi i uroi qeverisë punë të mbarë. VMRO-DPMNE-ja opozitare dhe opozita shqiptare u larguan nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut para se të fillojë votëbesimi ndaj qeverisë pasi nuk arritën të sigurojnë 61 vota.
Situata në Kuvend shfaqi shifra të reja rreth përbërjes së institucionit ligjvënës, duke e lënë kuvendin në numrat 60 me 60, ku as opozita dhe as mazhoranca e mbijetuar nuk mund të ndërmarrin hapa të mëtejmë, që nënkupton bllokimin e punës së legjislativit.
Në këto rrethana, kuvendi nuk do të mund të mbajë asnjë seancë të vetme, nëse partitë qeverisëse nuk arrijnë të sigurojnë të paktën edhe një votë të deputetit për të siguruara kuorumin për hapjen e seancave të kuvendit.
Në Maqedoninë e Veriut, partia opozitare VMRO-DPMNE e dorëzoi të hënën pasdite nismën në parlament për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Zoran Zaev. Partia i kishte bërë një lloj ultimatumi Zaevit se nëse nuk do ta dorëzonte dorëheqjen në parlament, ajo do të ngrejë mocionin e votëbesimit kundër tij. I cili dështoi të enjten në mesnatë.
Në rrethanat e krijuara, nuk përjashtohet mundësia që të ketë takim të liderëve për të diskutuar hapat e mëtejmë pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, ku tani janë dy grupime politike me numër të njëjtë të deputetëve.
Opozita maqedonase e ka bërë të qartë se do të pranonte të futej në bisedime, nëse ato do të ishin në funksion të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por sipas të gjitha gjasave një skenar i tillë do të dukej i brishtë, veçanërisht pas dështimit të mosbesimit ndaj Zaev.
Top Channel