Arbër Braho, nënkryetari i bashkisë së Durrësit, djali i ish-deputetit socialist Spartak Braho është shkarkuar nga detyra.

Përplasjet brenda bashkisë me kryetaren në detyrë, si dhe deklarimi se është ish-kryetari Vangjush Dako që de facto e drejton Bashkinë e Durrësit dhe abuzimet e shumta që bëhen në të me fondet publike, i ka kushtuar vendin e punës Brahos.

Burime nga bashkia e Durrësit konfirmuan se lirimi nga detyra i Arbër Brahos është bërë një ditë më parë, më 9 nëntor. Shkarkimi i Brahos ka ardhur vetëm një ditë pasi ka denoncuar në rrjetet sociale ish-kryetarin Vangjush Dako dhe pasuesen e tij në detyrë, e cila vetëm zyrtarisht figuron si e tillë, ndërkohë që abuzimet me fondet publike në këtë bashki janë galopante.

Braho edhe sot gjatë një interviste për Breaking ka folur në lidhje me abuzimet e shumta që po kryhen në bashkinë e Durrësit përmes tenderave, si dhe përplasjet me drejtuesen dhe Dakon, që qëndron pas çdo akti abuziv. Përplasja, sipas Brahos, ka marrë formë pas arrestimeve të bëra në Bashkinë e Durrësit nga SPAK në lidhje me një tender për blerjen e një autoshkalle për shërbimin zjarrfikës, kur ai ka refuzuar të ndërhyjë, me çdo mjet, për lirimin e njërit prej 6 të arrestuarve dhe sipas tij është kërcënuar nga ish-kryetari Dako për këtë.

Arbër Braho është emëruar në tetor të vitit 2013 si nënkryetar, pas detyrave në Departamentin Juridik të Agjencisë Kombëtare të transportit ajror, Ministrinë e Jashtme dhe KLSH.

Ai u kthye në bashkinë e Durrësit sërish në 2013, pasi në 2007 ka pas punuar si jurist pas fitores së mandatit të parë të fituar nga Vangjush Dako në atë vit.

Arbër Braho

Top Channel