Kryeministri i vendit tonë, Edi Rama, gjatë konferencës për media që mbajti së bashku me homologun e tij holandez, Mark Rutte, tha se në takim u fol edhe për integrimin.
Edi Rama u shpreh se Holanda, ashtu si Franca dhe Gjermania mbështesin integrimin e Shqipërisë, mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por shtoi se problem mbetet vetoja bullgare, ndërsa Rama tha se Mark ka komunikimin me palën bullgare për zgjidhjen e ngërçit të integrimin para dhjetorit.
“E dimë që Francë, Gjermania, Holanda janë të gjithë gati për tu ulur si BE në konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë për të nisur procesin e gjatë të negociatave por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë. Unë e falënderoj mikun tim Mark për kontributin personal në komunikimin me palën bullgare drejt zgjidhjes dhe përpara se të mblidhet këshilli evropian në dhjetor”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha më tej se ka biseduar me homologun e tij holandez edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe po ashtu edhe për mbështetjen e Holandës për përafrimin e universiteteve shqiptare me ato europiane në rrjetin europian të universiteteve.
“Kemi një rritje të turistëve nga Holanda, ata vijnë njohin një realitet që është i ndryshëm nga ajo që kanë dëgjuar për Shqipërinë. Të bëhen ambasador për një tjetër imazh të vendit tonë. Kemi folur me kryeministrin për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në fushën e luftës së krimit të organizuar, progresi i bërë do të rritet si pasojë e rritjes së kapaciteteve të këtij bashkëpunimi. Kemi folur edhe për mundësinë dhe kam kërkuar nga kryeministri që Hollanda të mbështesë një përafrim të universiteteve tona me ato europiane në kuadrin e rrjetit europian të universiteteve. Ashtu siç kemi folur edhe për një qasje më të hapur ndaj sidomos të rinjve në zonat rurale për ti përfshirë në programe të mëtejshme të mbështetjes për sipërmarrjen në fshat”, tha kryeministri.
Top Channel