Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK drejtorin e Përgjithshëm të AKU-së për shpërdorim detyre.

Bazuar në importimin dhe trgegtimin e akulloreve me oksid etileni, rezulton se drejtori i Përgjithshëm i AKU rezulton se ka kryer mosveprime që janë në kundërshtim me ligjin.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke marrë shkas nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, ushtroi jashtë  programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt:

”Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës “oksid etileni” në prodhimin e produktit ”Akullore” (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”, thuhet në njoftimin e KLSH.

Nga auditimi i ushtruar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij. Për mosveprimet e Drejtorit të DPAKU, KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Kujtojmë se në gusht të këtij viti, AKU bëri me dije se janë shitur 11747.44 kilogram akullore, me përmbajtje kancerogjene në tregun shqiptar.

Bashkimi Evropian dha urdhër në 31 korrik, që të tërhiqen nga tregu akulloret e prodhuara nga kompania e huaj, pasi zbuloi oksid etileni te këto produkte ushqimore.

Pas kontrolleve të kryera në tregun shqiptar, Autoriteti Shqiptar i Ushqimit ka llogaritur se një sasi prej 16.1 ton akullore të dëmshme për shëndetin është shpërndare nëpër marketet e vendit.

Nga këto, 11.7 ton janë blerë nga konsumatori. Rreth 20 ton të tjera ndodheshin ende në magazinat e subjekteve importuese dhe janë asgjësuar nga AKU.

Top Channel