Kongresmenët amerikanë takim me Bashën, Kryedemokrati: PD, avokat personal i askujt! Kemi mbështetjen e SHBA-së

08/11/2021 17:19

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit që zhvilloi këtë të hënë me anëtarë të Kongresit dhe Senatit amerikan u pyet nga gazetarët nëse ata i kishin dhënë shpjegime për shpalljen “non grata” të Sali Berishës dhe familjarëve të tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Duke preferuar një përgjigje jo të drejtpërdrejt, Basha u mjaftua të theksojë se forca politike që përfaqëson nuk do luajë rolin e avokatit personal të askujt, pasi prioritet i kësaj force politike sot është shkëputja nga e shkuara.

Sipas tij, shkëputja nga e shkuara, nënkupton luftën që PD i ka shpallur korrupsionit, varfërisë dhe largimit të rinjve nga vendi.

Në një komunikim me mediat, Basha sqaroi se prania kaq e lartë e tyre, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të folur për prioritetet politike.

Ai tha se prioritet absolut i PD-së është ndarja nga e shkuara, ndarja nga korrupsioni endemik që ka shkatërruar jetën e shqiptarëve dhe që ka zbrazur vendin nga rinia, duke i detyruar këta të fundit të mësyjnë drejt Europës.

“PD dhe unë, nuk jemi dhe nuk do të jemi avokat personal të askujt. Ne jemi dhe do të mbetemi luftëtar për hallet dhe problemet e përditshme të shqiptarëve, për të cilat sot, jam siguruar personalisht se kemi dhe do të kemi mbështetje të plotë nga Kongresi dhe Senati amerikan”, tha Basha.

Në takimin e kreut të PD-së me anëtarët e Kongresit dhe Senatit amerikan, ishte e pranishme edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Në fjalën e tij, Basha e vendosi theksin tek vettingu i politikanëve, duke fajësuar qeverinë shqiptare, pasi sipas tij, politika në Shqipëri ende vazhdon të bashkëpunojë me krimin e organizuar.

“Kongresmenët amerikanë së bashku me zyrtarë të lartë vizituan PD dhe na dhanë mundësinë për të shkëmbyer mendime mbi gjendjen politike në Shqipëri dhe në rajon dhe mbi perspektivën në SHBA. Në prioritetin e parë rendita domosdoshmërinë e vënies së vendit në shinat demokratike dhe rolin e veçantë që ka lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka një bashkëpunim të politikës me krimi. Pjesë e diskutimit është edhe ai i vettingut të politikanëve dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Gjithashtu u diskutua edhe lufta kundër korrupsionit e vendosja e vendit në shinat e legjitimitetit”, tha Basha.

Basha mendon se kjo gjendje e krijuar në Shqipëri është edhe si rezultat i gjendjes së përgjithshme që ka mbërthyer vendet e Ballkanit Perëndimor, ku si pasojë e autokratëve të këtyre vendeve është kthyer në emergjencë absolute kthimi i tyre në shinat e demokracisë.

“Destabiliteti është produkt i drejtpërdrejtë i autokratëve të Ballkanit, të cilët kanë shkatërruar bazat e demokracisë. Vettingu ndihmon dhe për të hequr çdo alibi, i cili ishte në fokus të bisedës” , tha kryedemokrati.

Top Channel