Tentoi t’i largohet policisë dhe përplasi makinat e patrullës, arrestohet 27-vjeçari. I sekuestrohet kokainë pas kontrollit në…

05/11/2021 16:53

Policia e Lezhës ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla dhe si rezultat ka rënë në pranga një 27-vjeçar.

Policia ka mundur të sekuestrojë edhe kokainën në një automjet, e cila ishte ndarë në doza të vogla dhe ishte gati për shitje.

Policia kishte marrë informacione për një shtetas që lëvizte me automjet nga Miloti, në drejtim të Lezhës, i cili posedonte lëndë narkotike kokainë. Në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i M+”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar tip ” BMW”, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet duke përplasur automjetet e shërbimeve të Policisë dhe rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

“Shërbimet e Policisë kanë arritur të ndalojnë dhe neutralizojnë  mjetin me drejtues shtetasin Sh.V., dhe kanë ushtruar kontroll ndaj automjetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje , të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.V., 27 vjeç, banues në Milot, Kurbin”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA